Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i dorëzoi sot zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Marrëveshjen vjetore të Financimit të 16-të me radhë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) të BE-së.
Marrëveshja me vlerë 62 milionë euro është pjesë e IPA III që mbulon periudhën 2021-2027. Me këtë, shuma e përgjithshme e ndihmës së drejtpërdrejtë financiare e BE-së arrin në më shumë se 1.3 miliardë euro dhe rikonfirmon BE-në dhe shtetet anëtare të saj si ofruesit më të mëdhenj të ndihmës financiare për Kosovën.
Kjo është marrëveshja e dytë e ndihmës financiare ndërmjet BE-së dhe Kosovës këtë vit; vetëm muajin e kaluar BE-ja i dhuroi Kosovës 75 milionë euro në kuadër të Pakos për Mbështetje Energjetike për Ballkanin Perëndimor me qëllim që të ndihmojë qytetarët dhe bizneset të përballen me çmimet e rritura të energjisë, të stimulojë kursimin e energjisë dhe të përmirësojë efiçiencën e energjisë.
“Financimi përmes Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit është një mjet i rëndësishëm i BE-së që ndihmon Kosovën të zhvillojë ekonominë e saj dhe të krijojë vende të reja pune si dhe të harmonizojë ligjet dhe standardet e saj me ato të BE-së, të gjitha këto me qëllim për të ndihmuar Kosovën të përparojë në rrugën e saj të integrimit në BE”, theksoi ambasadori Szunyog.
“Financimi IPA është dëshmi e qartë dhe e prekshme se BE-ja dëshiron që Kosova t’i përmbushë të gjitha standardet e nevojshme për t’u anëtarësuar në BE. Përdorimi i financimit të IPA-së është planifikuar me Qeverinë e Kosovës dhe synon fushat prioritare nga sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe arsimi, deri te zhvillimi i infrastrukturës, mbrojtja e mjedisit, tranzicioni i energjisë së gjelbër, dhe lidhjet rrugore, hekurudhore dhe të TI-së”, shtoi ai.
Marrëveshja e financimit e nënshkruar sot nga zëvendëskryeministri Bislimi do të ndihmojë Kosovën të përmirësojë integrimin socio-ekonomik të komuniteteve joshumicë dhe të të kthyerve, të zhvillojë infrastrukturën e menaxhimit të mbeturinave dhe ujërave të zeza, duke përfshirë sistemin e kanalizimit në kryeqytet, të përmirësojë efiçiencën e energjisë në sektorin publik dhe të përafrojë ligjet e Kosovës me acquis të BE-së dhe të mbështesë profesionistët ligjorë.
“Përveç fondeve të siguruara nga BE-ja, projektet do të bashkëfinancohen nga buxheti ynë në shumën prej 4.7 milionë euro dhe me financim nga partnerët e tjerë dypalësh në vlerë prej 24.88 milionë euro. Pra, realizimi i mjeteve do të arrijë në gjithsej 91.83 milionë”, tha zëvendëskryeministri Bislimi.
“Theksoj se është kënaqësi që për një kohë kaq të shkurtër të lidhim tri marrëveshje për programet IPA, që do të thotë se pothuajse gjysma e fondeve të dedikuara nga IPA III tashmë janë zotuar për Kosovën. Ky është edhe një tregues i besimit të partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë se Kosova ka kapacitet për t’i zbatuar me sukses këto projekte”, shtoi ai.
BE-ja ka filluar ofrimin e financimit IPA për Kosovën që në vitin 2007. Programet IPA I dhe IPA II kanë mbuluar periudhën 2007-2020, duke përfshirë 14 Marrëveshje vjetore të Financimit me vlerë prej 1.2 miliardë euro. Financimi IPA III që mbulon periudhën 2021- 2027 dhe Marrëveshjet vjetore të Financimit kanë filluar të zbatohen në vitin e kaluar, me Marrëveshjen për vitin 2021 me vlerë 64 milionë euro dhe atë për vitin 2022, të dorëzuar sot,
me vlerë 62 milionë euro.
“Shpresoj që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë shpejt Marrëveshjen e Financimit”, përfundoi ambasadori Szunyog./FolDrejt/