Kanadaja ka ndarë një buxhet shtesë prej 8 miliardë dollarësh kanadezë për nevojat ushtarake që lindën nga pushtimi rus në Ukrainë.
Zëvendëskryeministrja kanadeze dhe ministrja e Financave, Chrystia Freeland shpalli shifrat e buxhetit për periudhën 2022-2023 në prezantimin e saj në parlamentin federal, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke deklaruar se kanë ndarë 8 miliardë dollarë kanadezë burime shtesë për shpenzimet ushtarake që do të nevojiten për të rritur aftësitë mbrojtëse të ushtrisë kanadeze, Freeland tha: “Pushtimi i presidentit rus, Vladimir Putin në Ukrainë na kujtoi se demokracia jonë paqësore, si të gjithë demokracitë në botë, në fund të fundit varet nga mbrojtja e fuqisë së fortë. Ne e dimë se liria nuk vjen falas dhe se paqja garantohet vetëm nga gatishmëria jonë për të luftuar për të”.
Freeland tha se shpenzimet e mbrojtjes ushtarake, të cilat aktualisht janë 1.36 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kanadasë, do të rriten në 2 për qind në të ardhmen e afërt për të përmbushur kërkesat e NATO-s.
Me buxhetin e akorduar për nevoja ushtarake, Kanadaja do të forcojë Organizatën e Përbashkët SHBA-Kanada të Mbrojtjes së Amerikës së Veriut, NORAD dhe do të marrë masa për të rritur sigurinë kibernetike ushtarake.
Kanadaja do të shpenzojë 500 milionë dollarë deri në vitin 2023 për të ofruar më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën e shkatërruar nga lufta./FolDrejt/