Ish-senatori John W. Warner nga Virxhinia, i njohur si burrë xhentil dhe një ekspert ushtarak me eksperiencë, i cili fitoi famë të veçantë pas martesës me aktoren legjendare Elizabeth Taylor, u nda nga jeta në moshën 94 vjeçare.
Zoti Warner vdiq të martën nga një ndalim zemre në banesën e tij në Aleksandria të shtetit Virxhinia, pranë gruas dhe vajzë së tij, tha të mërkurën shefja e stafit të tij Susan A. Magill.
Ish-senatori republikan me pikëpamje të qendrës kishte tendencën të vepronte shpesh si i pavarur, gjë që ndonjëherë zemëronte udhëheqësit më konservatorë të Partisë Republikane. Por ai ishte jashtëzakonisht popullor me votuesit e Virxhinias.
Ky popullaritet u amplifikua nga martesa e tij me yllin e Hollivudit, Elizabeth Taylor. Kjo famë bëri që kandidatura e tij për Senat të tërhiqte pasues të shumtë që çuan në zgjedhjen e tij në Senat në 1978. Seriali komik që botohej në gazeta amerikane “Doonesbury” e vinte në lojë me epitetin atë “Senator Elizabeth Taylor.”
Zoti Warner ishte i gjashti nga shtatë burrat e aktores Taylor. Ata u martuan në 1976 dhe u divorcuan në 1982. Taylor shkroi më pas se ata mbetën miq, por “thjesht nuk mund të duroja vetminë e rëndë” kur ai u përfshi në detyrat e tij të Senatit.