Kujtim Gjonaj u nda nga jeta, sot në moshën 74 vjeçare. Por kush është Kujtim Gjonaj?
Skenarist, regjisor i filmave dokumentarë dhe vizatimorë, producent dhe botues shqiptar. Kujtim Gjonaj ka lindur në 13 nëntor të vitit 1946 në qytetin e Tiranës.
Në vitin 1968 mbaron studimet e larta në Universitetin e Tiranës Dega Gjuhë – Letërsi dhe po atë vit fillon punën si redaktor i skenarëve të filmave dokumentarë në Kinostudion “Shqipëria e Re”.
Në vitin 1974 kalon si regjisor në sektorin e filmave dokumentarë duke shkruar edhe shumë nga skenarët e këtyre filmave.
Përmendim këtu disa nga filmat dokumentarë me të cilat është vlerësuar me Çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1982 do të nderohet me Çmimin e II-të në Konkursin Kombëtar Letraro – Artistik për Skenarin për skenarin e filmit “Kryengritjet e Mëdha”, në vitin 1986 filmi “Më e madhja dashuri” do të vlerësohej si filmi më i mirë i vitit, në 23 prill të vitit 1990 filmi “Kështjella e Këngëve” do të vlerësohej me Kupën e Festivalit në Festivalin e VIII-të të Filmit Dokumentar dhe Vizatimor Shqiptar, në vitin 1995 filmi “Shembja e idhujve” do të vlerësohej me Çmimin e I-rë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të shkurtër në Palermo (Palermo Film Festival), në vitin 1998 do të vlerësohej gjithashtu me Çmimin e I-rë në Konkursin e V-të Ndërkombëtar të Mesdheut të Filmit Dokumentar dhe Reportazhit (Premio Internazionale del Documentario e del Reportage Mediterraneo).