Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka ndaluar fluturimin e parë në të cilin Britania do të dërgonte refugjatët në Ruandë.
Pas një kërkese të bërë nga avokati i një prej refugjatëve që ndodhet në mesin e atyre që do të dërgohen në Ruandë, GJEDNJ pengoi që ky person të dërgohet në avion, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në vendim është marrë në konsideratë vlerësimi i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuar për Refugjatët se “refugjatët që do të dërgohen në Ruandë mund të mos kenë atje qasje në një mbështetje ligjore të drejtë dhe efektive në aplikimet e tyre për azil”.
Po ashtu është tërhequr vëmendja edhe mbi qasjen e dyshimtë të gjyqtarëve britanikë për çështjen se sa e sigurt është Ruanda.
Burimet të cilët kanë folur në shtypin britanik, kanë theksuar se vendimi është i vlefshëm për të gjithë refugjatët ndaj të cilëve Britania ka marrë një vendim dëbimi.
Ndërsa edhe zyrtarët e Ministrisë së Brendshme në një deklaratë për BBC-në konfirmuan se avioni nuk mund të ngrihet në fluturim pas ndërhyrjes në “minutën e fundit” të GJEDNJ-së.
– Avioni priti të gjithë ditën
Ishte njoftuar se vetëm shtatë persona do të ndodheshin në avionin i cili ka pritur gjatë gjithë ditës i gatshëm në aeroportin ushtarak Boscombe Down në Amesbury dhe i cili ndodhet rreth 130 km nga Londra.
Edhe pse në listën e parë ndodheshin mbi 120 persona, kjo u zvogëlua deri në shtatë persona pas vendimeve të marra nga gjykatat britanike, ndërkohë që sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, kishte deklaruar se avioni do të ngrihej në fluturim pa marrë parasysh numrin.
Brenda ditës edhe kryeministri Boris Johnson kërcënoi me tërheqjen e Britaninë nga GJEDNJ dhe akuzoi avokatët që kanë bërë kërkesat për “ndihmë ndaj kriminelëve që shfrytëzojnë refugjatët”.
– Plani që shkaktoi reagime
Mes Britanisë dhe Ruandës më 14 prill u nënshkrua Marrëveshja e Partneritetit për Migracionin dhe Zhvillimin Ekonomik, për të dërguar në Ruandë emigrantët dhe azilkërkuesit që konsiderohen si të paligjshëm në Britani. Organizatat e të drejtave të njeriut reaguan ndaj kësaj marrëveshjeje.
Më 13 qershor gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, vendosën se mund të kryhej fluturimi i parë për të dërguar emigrantët dhe azilkërkuesit në Ruandë. Avokatët e refugjatëve, të cilëve iu refuzuan edhe kërkesat individuale, iu drejtuan më pas GJEDNJ-së disa orë përpara nisjes së fluturimit./FolDrejt/