Një inspektor i Hekurudhave Greke është akuzuar dhe është lënë në paraburgim, më shumë se një muaj pas aksidentit më të rëndë të trenit në historinë e Greqisë, ku sipas burimeve gjyqësore mbetën të vdekur 57 persona.
Inspektori Dimitris Nikolaou, 63 vjeç, ishte në detyrë në momentin e aksidentit dhe është akuzuar për “çrregullim të sigurisë së trafikut”, i cili shkaktoi vdekjen e shumë njerëzve, si dhe vrasje nga pakujdesia, tha burimi, përcjell Fol Drejt.
Në përplasjen mes një treni pasagjerësh dhe një treni mallrash më 28 shkurt, 57 persona humbën jetën, dhjetëra u plagosën dhe nëntë persona vazhdojnë të marrin trajtim spitalor.
Nikolau është personi i dytë i arrestuar në këtë rast dhe mund të dënohet nga dhjetë vjet burg deri në burgim të përjetshëm.
Në paraburgim ndodhet edhe shefi i stacionit hekurudhor ku ndodhi dështimi, Vasilis Samaras (57). Ai pranoi përgjegjësinë për përplasjen kokë më kokë midis një treni pasagjerësh dhe mallrash në Tempe, pranë qytetit të Larisës.
Dy drejtues të tjerë të stacioneve hekurudhore, të cilët ishin në detyrë mbrëmjen e 28 shkurtit, u akuzuan se u larguan herët nga postet e tyre dhe lanë pas punonjës me më pak përvojë. Të dy u liruan në fillim të javës me kusht prej 10 mijë eurosh dhe duhet të paraqiten në polici dy herë në muaj.
Përveç përgjegjësisë së drejtuesve të stacioneve, ky aksident treni, më i madhi ndonjëherë në Greqi, vuri në dukje mangësi dhe vonesa kronike në modernizimin e sistemeve të sigurisë./FolDrejt/