Në vazhdën e luftës kundër kontrabandës në veri të vendit, sot rreth orës 13:30 në fshatin Rudare të Zveçanit, njësitet policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Veriu, kanë ndaluar një automjet me të cilin po kontrabandoheshin barna.
Automjeti i ndaluar ishte një ambulancë që drejtohej nga D.S., 57 vjeçar, nga Mitrovica me banim në Zveçan.
“Njësitet policore gjatë kontrollimit të automjetit kanë hasur pako me produkte medicinale me banderola të Serbisë. Drejtuesi i automjetit nuk posedonte dokumente për prejardhjen e produkteve medicinale, andaj ekziston dyshim i bazuar se ato kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale, pra janë kontrabanduar duke i ikur obligimeve doganore”, thuhet në njoftim
Policia për rastin ka njoftuar prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe rasti në koordinim me të është duke u trajtuar nga Policia./21Media