Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së sotme në Prizren, ka qëndruar edhe në Këshillin e Bashkësisë Islame në Prizren.
Haradinaj ka reaguar për debatin që nisi ditën e djeshme, që ndodhi në një shkollë në Gjakovë, rreth vendosjes së shenjës se ndalohet shamia, duke e konsideruar vendosjen e shenjave të tilla si të panevojshme.
“Dua të dërgoj edhe një porosi. Ne jemi një. Një komb një vlerë, nuk ndahemi. Kur them nuk ndahemi, do të dimë mos me ra në gracka dhe debate të panevojshme. Ju e patë se si ndodhi një debat për simbolet dhe gjërat e lejuara apo të palejuara në shkolla. Të ju them të drejtën ajo shenjë ishte e panevojshme në një shkollë. Ajo çështje do të duhej të trajtohet në kanalet e veta zyrtare dhe administrative, pra në vijën institucionale. Po jo të nxisim debate që se kanë kohën edhe vendin dhe të lëndojmë ndjenjat e ndërsjellta”, tha Haradinaj, thuhet në komunikatën e AAK-së.