Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se javën e arshshme do të fillojë vendosja e pritoreve të reja të autobusëve nëpër kryeqytet
Ahmeti ka shkruar në Facebook se deri më tani pritoret nuk kanë pasur ndonjë meërtim zyrtar, e për këtë ai po kërkon edhe ndihmën e qytetarëve.
“Pasi që jemi tu i ndërru pritoret e autobusëve (shih poshtë), javen e ardhshme do të fillojmë vendosjen e tyre nëpër Prishtinë. E kemi një ide. Stacionet në Prishtinë apo pritoret nuk janë të emëruara në mënyrë të sakt dhe zyrtare. Tani do ti emërtojmë ato. Por do të ju pysim juve. Për çdo stacion/pritore të madhe në qytet do të organizojmë nga një mini/vote”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka hapur votimin për pritoren e parë, duke iu dhënë mundësi qytetarëve të zgjedhin në mes tri opsioneve për emrin që do ta ketë tash e tutje ai stacion.
“Psh me stacionin e parë ju do të keni mundësi që të votoni në mes të këtyre tri opcioneve: Katedralja, Papilloni ose Tri Kapelat. Dhe kështu e bëjmë për çdo stacion. Të ju japim emërtime prishtinase”, ka shkruar Ahmeti.
Ndërrimi i pritoreve në kryeqytet është pjesë e Planit të Mobilitetit të Prishtinës.
Të gjitha pritoret do të kenë të njëjtin dizajn, ndërkaq është paraparë që ato të kenë të integruar sistemin që përmes GPS’së i cili është i vendosur edhe në autobusët që operojnë nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës, në këtë mënyrë udhëtarët do të dinë saktë për sa kohë do të vijë autobusi që ata presin.