Ambasadorja italiane në Australi ka vdekur pasi ka rënë nga një ballkoni në qytetin e saj të lindjes në Foligno në rajonin Umbria.
Sipas raportimeve, ambasadorja Francesca Tardioli, 56 vjeçe, u gjet e pajetë jashtë shtëpisë së saj pasi me sa duket ra nga kati i tretë, përcjell Telegrafi.
Ngjarja po hetohet nga policia e Italisë.
“Lajm tronditës për ndarjen nga jeta të ambasadores Francesca Tardioli… Kolege brilante. Diplomate shumë e respektuar”, shkroi në Twitter ambasadorja e Australisë në Itali, Margaret Twomey. “Mendimet tona janë me familjen, miqtë e saj”.
“Ajo dyshohet se humbi ekuilibrin ndërsa ishte përkulur mbi ballkonin e saj”, raportoi agjencia italiane e lajmeve AGI.
Tardioli, mbante postin e ambasadores që nga shtatori 2019 dhe zotëronte rrjedhshëm anglishten dhe frëngjishten dhe kishte njohuri të mira të gjermanishtes dhe spanjishtes.
Ajo iu bashkua Shërbimit Diplomatik Kombëtar Italian në 1991.