Alternativa i njofton aktivistët dhe opinionin e gjerë se sot, më 11 korrik 2019, në orët e hershme të mëngjesit, ndërroi jetë anëtari i Kryesisë Qendrore i Alternativës dhe veprimtari i palodhshëm Shaban Zendeli – drejtor i deritanishëm i NP Hekurudhat e Maqedonisë – Transport, informon foldrejt.com.
Një epitaf plot dhimbje për të ka shkruar edhe Zeqirija Ibrahimi, shoku i tij i idealit.
“Baci Shaban, nuk po mund ta bind veten se po shkruaj nekrolog për ty. Vetëm para ca ditëve më binde se do e mundësh edhe sëmundjen. Por, caktimin e Zotit nuk e mundim dot. Dhe, ne besojmë në këtë urtësi.
Andaj edhe sot, kur zemrat tona janë të thyera dhe nuk mund ta përmbajmë veten, përsëri e themi vetëm atë që e ka thënë i Dërguari Muhamed kur e varrosi të birin: “Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi”.
Do të mbetesh gjithmonë në kujtimet tona si Njeri për t’u admiruar dhe kujtuar gjithnjë për urtësinë, besimin dhe guximin e palëkundur.
Zoti të pastë mëshiruar dhe Ai i faltë durim familjes, që është goditur me një sprovë të rëndë,” shkruan Ibrahimi, përcjell foldrejt.com.
Vetëm pak ditë përpara se të ndërronte jetë, i ndjeri Shaban Zendeli do shkruante një fjali të Munir Gavrankapetanoviq:
“Gjatë sëmundjes dhe vuajtjes lirohen prangat trupore, dobësohet trupi, por forcohet shpirti duke synuar lart e më lart drejt Krijuesit të vet. Të gjitha teket materiale në çastet e ngritjes shpirtërore qartësohen me gjithë bukuritë e tyre dhe shpallen si e vetmja e vërtetë. Interesi për çdo gjë materiale zbehet, ndërsa forcohen synimet dhe aspiratat e mira dhe fisnike të shpirtit tonë.”
Redaksia e foldrejt.com i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe shokëve të tij./Foldrejt.com