Ka ndërruar jetë Shqyqri Nimani, mjeshtri i arteve të bukura, gjurmët e së cilit do të mbesin të pashlyera në kujtesën kolektive kosovare, shkruan Fol Drejt.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit iu ka shprehur ngushëllime miqve dhe familjarëve të të ndjerit me këtë rast.
Nëpërmjet një telegrami ngushëllimi MKRS ka thënë se “do ta kujtojmë si një nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë, që la prapa një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artistike.”
Lexojeni të plotë telegramin e ngushëllimit të Ministrit të Kulturës Hajrullah Çeku me këtë rast:
E nderuar familje Nimani,
Me pikëllim pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, mjeshtrit të arteve të bukura, profesor Shyqri Nimanit.
Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shprehim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj.
Do ta kujtojmë si një nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë, që la prapa një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artistike.
Teksa kujtojmë vetëm disa nga veprat e tij, si dorëshkrimin e artë në aktin themeltar të shtetit tonë, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, krijimin e logos identifikuese të Grand Hotelit, Kosova Filmit deri tek simboli i Universitetit të Prishtinës, e themi me gjithë zemër se prof. Nimani me meritë të plotë e të padiskutueshme ka zënë një vend nderi në listën e gjatë të krijuesve dhe studiuesve të kohës sonë.
Do t’i jemi falënderues dhe përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij në themelimin e departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, kontributin në themelimin e institucioneve tona të artit, udhëheqjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës, si dhe për monografitë reprezentative dhe të rëndësishme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.
Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve kolegëve dhe gjithë komunitetit.
Sinqerisht,
Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Republika e Kosovës