Numri i të punësuarve pa kontratë në tregun e punës në Kosovë, ndonëse konsiderohet të ketë shënuar rënie nga viti në vit, vazhdon të mbetet shqetësim për autoritetet në vend dhe përfaqësues të punëtorëve.
Inspektimet e bëra nga autoritetet kompetente te kompanitë në sektorin privat, shumë herë kanë hasur në punëtorë pa kontrata pune.
Të dhënat e sakta për numrin e të punësuarve joformal nuk dihet, pasi që rastet e tilla rrallë herë raportohen tek autoritetet kompetente.
Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Inspektoratin e punës, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, bën të ditur se në vazhdimësi nga inspektimet që iu kanë bërë kompanive në Kosovë, kanë hasur në punëtorë pa kontratë pune.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë së vetëm në vitin 2018 kanë hasur në më shumë se 700 raste të punëtorëve pa kontratë pune.
“Punësimi joformal mund të themi se ka shënuar rënie dhe tani nuk është në nivelet që ka qenë në vitet e mëparshme, pasi që çdo vit kemi pasur rënie të numrit të rasteve. Në vitin 2018 kemi pasur mbi 700 raste të punëtorëve pa kontrate pune, kurse në vitin 2017 kanë qenë 1.250 punëtorë pa kontratë pune, derisa në vitin 2016 kemi hasur në 3.000 punëtorë pa kontratë pune”.
“Kjo rënie e punësimit joformal, ka ardhur si rezultat i vetëdijesimit të punëtorit dhe punëdhënësit se duhet të ketë kontratë pune dhe inspektimi që është bërë rregullisht nëpër kompani. Vetëm në vitin 2018 kemi shqiptuar rreth 270 gjoba për biznese, në të cilat gjoba përfshihen edhe mbajtja e punëtorëve pa kontrata pune”, thotë Ibrahimi.
Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të përfshira në anketën e fuqisë punëtore, tregojnë se 14 për qind e të punësuarve në Kosovë punojnë pa kontratë pune, derisa 86 për qind kanë kontratë pune disa prej tyre të përkohshme dhe disa të tjerë të përhershme.
Por, përfaqësues, të cilët mbrojnë të drejtat e punëtorëve në Kosovë thonë që numri i punëtorëve që punojnë pa kontratë pune është shumë i madh, por që, sipas tyre, punëtorët të cilët janë të punësuar pa kontratë pune, nuk i paraqesin rastet e tilla.
Avni Ajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, (BSPK) thotë për Radion Evropa e Lirë se rastet e punëtorëve pa kontratë, nuk raportohen nga punëmarrësi nga frika se mund të humbin punën.
“Brenga më e madhe dhe më shqetësues është punësimi joformal. Në sektorin privat ka numër të madh të të punësuarve pa kontratë pune. Përveç kësaj, ata janë të diskriminuar dhe punojmë më shumë se 8 orë pune, por që rastet e tilla nuk raportohen nga frika se mund të humbin edhe atë punë që kanë. Duhet të merren hapa për përmirësimin e kësaj gjendjeje, por nëse punëtorët nuk i raportojnë rastet e tilla, nuk mund të zgjidhen problemet”, vlerëson Ajdini.
Ai kërkon nga punëtorët që punojnë pa kontratë pune, t’i paraqesin rastet e tilla.
Kontrata e punës është veprim juridik i dyanshëm, i cili rregullon të drejtat të punëdhënësit dhe të punëmarrësit.
Në bazë të kontratës, punëdhënësi është i detyruar që të punësuarin ta paraqesë në Administratën Tatimore të Kosovës dhe institucionet tjera, të cilat menaxhojnë dhe administrojnë skemat e obligueshme pensionale dhe skemat tjera. Po ashtu, punëdhënësi është i obliguar për pagesën e kontributeve dhe detyrimeve tjera ligjore.
Kompanitë, të cilat më së shumti punësojnë punëtorë pa kontratë pune, sipas kryeinspektorit Basri Ibrahimit, janë ato në sektorin e ndërtimit dhe gastronomisë.
“Gastronomia dhe ndërtimtaria janë sektorët ku më së shumti kanë punëtorë pa kontratë pune, por janë edhe dyqanet e vogla ku kemi hasur në punëtorë pa kontrata pune. Arsyeja zakonisht ka të bëjë për shkak të afarizmit jo të mirë që kanë ato kompani apo edhe të ndërrimit të shpeshtë të punëtorëve”, thotë Ibrahimi.
Në Kosovë Ligji i punës mbron të drejtat e punëtorëve dhe gjobat për ata që nuk e respektojnë këtë ligj, kapin shumën deri në 35 mijë euro.