“Mbështetja jonë është për të ndihmuar ushtrinë e Ukrainës të zmbrapsë një pushtim brutal rus, sepse paqja në rajonin e Evropës është thelbësore për stabilitetin global”, tha kryeministrja Jacinda Ardern.
Zelanda e Re njoftoi ndihmë shtesë ushtarake dhe ligjore prej 13 milionë dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë vendosjen e avionëve transportues C-130 Hercules në Evropë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një deklaratë, kryeministrja Jacinda Ardern tha se nga ndihma shtesë prej 13 milionë dollarësh, kabineti ka miratuar vendimin që t’i japë Mbretërisë e Bashkuar 7,5 milionë dollarë për të siguruar armë dhe municione për forcat e armatosura të Ukrainës.
Shuma e mbetur do t’i jepet Ukrainës për të mbështetur qasjen komerciale satelitore për inteligjencën e tyre të mbrojtjes, thuhet në deklaratë.
Vendi do t’i japë gjithashtu 1 milion dollarë Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe 500.000 dollarë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
“Mbështetja jonë është për të ndihmuar ushtrinë e Ukrainës të zmbrapsë një pushtim brutal rus, sepse paqja në rajonin e Evropës është thelbësore për stabilitetin global”, tha Jacinda Ardern.
“Një sulm i tillë flagrant ndaj sovranitetit të një vendi është një kërcënim për të gjithë ne dhe kjo është arsyeja pse edhe ne kemi një rol për të luajtur”, shtoi ajo.
Sipas kryeministres, kabineti vendosi gjithashtu të dërgojë për dy muaj në Evropë aeroplanë transportues C-130 Hercules të Forcave të Mbrojtjes me 50 personel mbështetës.
Megjithatë, avioni dhe personeli i Zelandës së Re nuk do të hyjnë në Ukrainë, shpjegoi ajo.
“Gjatë muajve të ardhshëm, ekipi ynë do të udhëtojë në të gjithë Evropën duke transportuar pajisje dhe furnizime shumë të nevojshme në qendrat kryesore të shpërndarjes, por në asnjë moment ato nuk do të hyjnë në Ukrainë”, tha ministri i Mbrojtjes, Peeni Henare.
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi me sulmin rus më 24 shkurt, shkaktoi reagimin ndërkombëtar, çoi në sanksione financiare kundër Moskës dhe inkurajoi largimin e kompanive globale nga Rusia./FolDrejt/