Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se specialistë ushtarakë të Mbretërisë së Bashkuar do të dërgohen në Bosnje e Hercegovinë për të përforcuar misionin e NATO-s dhe për të promovuar stabilitetin dhe sigurinë në vend.
“Ne nuk mund të lejojmë që Ballkani Perëndimor të bëhet një tjetër shesh lojërash për synimet e dëmshme të Putinit. Duke ndezur flakët e secesionizmit dhe sektarizmit, Rusia kërkon të ndryshojë arritjet e tre dekadave të fundit në Bosnje e Hercegovinë, arritje që kanë sjellë më shumë stabilitet në të gjithë kontinentin tonë”, citohet të ketë thënë Johnson në një deklaratë qeveritare, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Më tej, në deklaratë thuhet se “kjo është arsyeja pse ne po rrisim mbështetjen për Bosnje e Hercegovinën, duke iu përgjigjur thirrjes së miqve tanë për të ndihmuar në mbrojtjen e paqes që me të drejtë meritojnë të gëzojnë”.
Qeveria britanike tha se vendimi erdhi me kërkesë të selisë së NATO-s në Sarajevë pasi vendi po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial, ku udhëheqësit secesionistë po punojnë aktivisht për të krijuar ndarje dhe konflikt të mëtejshëm.
“Këto plane mbështeten nga Moska si pjesë e përpjekjes së Putinit për të minuar integrimin euroatlantik të Bosnjës dhe stabilitetin e saj”, thuhet në deklaratë.
Një ekspert kundër dezinformimit i Mbretërisë së Bashkuar do të ndihmojë forcat e armatosura të Bosnje e Hercegovinës të bllokojnë përpjekjet ruse dhe përpjekjet tjera për të mbjellë mosbesim dhe për të minuar demokracinë në vend dhe rajon, ndërsa një këshilltar strategjik i mbrojtjes do t’i ndihmojë ata të zhvillojnë një forcë të armatosur moderne dhe përfaqësuese.
Përveç kësaj, në deklaratë thuhet se Mbretëria e Bashkuar do të sigurojë 750.000 funta për të krijuar një qendër ekselence të sigurisë kibernetike brenda Universitetit të Sarajevës.
Ndërkohë, në rrjetet sociale, Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar po i përgjigjet thirrjes së Bosnje e Hercegovinës për ndihmë për të ruajtur paqen.
“Rusia po nxit dhunën dhe secesionizmin në Bosnje e Hercegovinë për të minuar dhe destabilizuar rajonin. Ne po i përgjigjemi thirrjes së miqve tanë për të ndihmuar në mbrojtjen e paqes së fituar me vështirësi”, tha Johnson.
Bosnje e Hercegovina aktualisht është e përfshirë në një konflikt politik midis boshnjakëve dhe serbëve.
Mosmarrëveshja shpërtheu pasi në korrik të vitit të kaluar, Valentin Inzko, Përfaqësuesi i Lartë i atëhershëm, ndryshoi kodin penal për të ndaluar mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.
Si reagim, ligjvënësit serbë në Bosnje e Hercegovinë thanë se do të bojkotojnë institucionet e vendit.
Anëtari serb i presidencës, Milorad Dodik, u shpreh se “nuk do të jetojmë në një vend ku dikush mund të imponojë një ligj thjesht duke e publikuar atë në faqen e tij të internetit”./FolDrejt/