Dy grabitës me thikë hynë në një shkollë të mesme në Suedi të hënën dhe vodhën kompjutera nga nxënësit, raportojnë mediat lokale. Personat e maskuar kanë hyrë në klasën e shkollës në Vasteras teksa po zhvillohej mësimi. Burrat morën të gjithë kompjuterat e klasës, por u detyruan të hidhnin disa pasi mësuesit i ndoqën.
Asnjë student apo staf nuk u lëndua, por një kalimtar i rastit që u përpoq të ndërhynte u trajtua nga mjekët në vendngjarje. Policia nuk dha detaje të plota të grabitjes, por tha se oficerët ishin thirrur në vendngjarje pasi “autorë të shumtë” detyruan njerëzit të dorëzonin pajisjet elektronike raporton “BBC”.
Zëdhënësi i policisë lokale, Tobias Ahlen tha se oficerët po patrullojnë zonën. Drejtori i shkollës Henrik Pettersson tha se një numër nxënësish nuk ndiheshin mirë gjatë pasdites.
“Ka shumë që janë të trishtuar, të mërzitur dhe të tronditur që kanë qenë dëshmitarë të një ngjarje kaq të tmerrshme dhe traumatike,” tha ai për gazetën “Aftonbladet”. “Kjo lloj gjëje nuk duhet të ndodhë në një shkollë, është e tmerrshme,” shtoi zoti Pettersson. Ata që ndodheshin në klasë dhe mësuesit që ndoqën grabitësit po marrin mbështetje, tha shkolla. / abcnews.al