Hulumtimet e reja tregojnë një lidhje shqetësuese midis niveleve më të larta të ndotjes së ajrit dhe përparimit të osteoporozës, një sëmundje që i bën kockat më të brishta dhe më të ndjeshme ndaj frakturave. Rreziku i osteoporozës rritet me kalimin e moshës dhe është veçanërisht i zakonshëm tek gratë pas menopauzës.
Pra, studiuesit analizuan të dhënat nga 9,041 gra në postmenopauzë gjatë një periudhe 6-vjeçare, duke u fokusuar veçanërisht në densitetin mineral të kockave; që është një tregues indirekt i rrezikut të osteoporozës dhe frakturave. Ata mblodhën adresat e tyre dhe monitoruan nivelet e oksidit të azotit, dioksidit të azotit, dioksidit të squfurit dhe grimcave PM10 (grimca ndotëse me diametër më të vogël se 10 mikrometra/μm) në zonën ku jetojnë, përcjell Fol Drejt.
Rreziku i oksideve të azotit
Ata zbuluan se me rritjen e ndotjes, dendësia minerale e kockave u ul në të gjitha pjesët e trupit; duke përfshirë qafën, shtyllën kurrizore dhe ijet. “Zbulimi ynë konfirmon se cilësia e dobët e ajrit mund të jetë një faktor rreziku për dobësimin e kockave, pavarësisht nga faktorët socio-ekonomikë ose demografikë,” tha shkencëtari biomjekësor Diddier Prada nga Universiteti Columbia në Nju Jork.
Studimet e mëparshme kanë treguar një lidhje midis ndotjes së ajrit dhe një rreziku më të lartë të frakturave të kockave, si dhe një reduktim më të madh të masës kockore. Ky hulumtim i ri konfirmon më tej këto gjetje me të dhënat për gratë pas menopauzës dhe përzierjet e ndryshme të ndotjes së ajrit, shkruan Science Alert.
Prada dhe kolegët e tij theksojnë veçanërisht lidhjen midis azotit dhe kockave të shtyllës kurrizore. Një rritje prej 10 për qind në këtë lloj ndotjeje gjatë një periudhe trevjeçare shoqërohet me një humbje mesatare vjetore të densitetit mineral kockor në shpinë lumbale prej 1.22 për qind, ose dy herë më shumë se gjatë procesit normal të plakjes.
“Për herë të parë, ne kemi prova që oksidet e azotit kontribuojnë në mënyrë specifike në dëmtimin e kockave”
Shkencëtarët besojnë se kjo ka shumë të ngjarë të ndodhë sepse qelizat e kockave “vdesin” gjatë stresit oksidativ, pra kur ato shkatërrohen nga molekulat toksike të mjedisit. “Për herë të parë, ne kemi prova që oksidet e azotit kontribuojnë në mënyrë specifike në dëmtimin e kockave,” tha Prada.
Duhet theksuar se ky hulumtim tregon një lidhje, por jo një lidhje shkakësore, midis ndotjes së ajrit dhe humbjes së kockave. Megjithatë, gjithnjë e më shumë studime e mbështesin këtë tezë. Hulumtimi i titulluar Ndotja e ajrit dhe ulja e densitetit mineral kockor midis pjesëmarrësve të Iniciativës për Shëndetin e Grave u botua në revistën eClinicalMedicine./FolDrejt/