Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se është ndryshuar orari i kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, për të frenuar përhapjen e koronavirusit në Kosovë.
“Ministria e Shëndetësisë në koordinim të plotë me GNMI, MPB dhe ministritë e linjës, konform Planit të Veprimit Kombëtar dhe në pajtim të plotë me masat emergjente të aprovuara nga Qeveria e Kosovës, pas analizimit të situatës epidemiologjike, monitorimit të kujdesshëm të këtyre ditëve, njofton se posa i ka propozuar Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, dhe qeverisë në detyrë të Republikës plotësim-ndryshimin e vendimeve në raport me masat të cilat kanë për qëllim mbrojtjen shëndetit publik”, ka njoftuar Vitia.
Ai ka bërë të ditur se është propozuar edhe ndryshimi i vendimit sa i përket orareve të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve.
“Tani ky kufizim do të jetë nga ora 17:00 deri në orën 06:00”, thuhet në njoftimin që e ka bërë ministri Arben Vitia.
“Të dashur qytetarë, bashkëpunimi juaj, vetdisiplina, kujdesi dhe solidariteti janë jetike në këtë betejë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jemi bashkë në administrimin e kësaj situate. Ju lutem që të mirëkuptoni, ndiqni dhe të zbatoni të gjitha masat e reja. Për çdo shkelje të masave të përcaktuara, do të shqiptohen dënimet konform dispozitave ligjore”, thuhet në njoftim.