Në përvjetorin e 15-të të themelimit të Njësisë Speciale Intervenuese, kryeministri Albin Kurti, e vizitoi kampin e kësaj njësie, me ç’rast e përgëzoi për punën, angazhimin dhe kontributin pa kursim e të parezervë që në Kosovë të sundojë ligji dhe të ketë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Sipas njoftimit, Kurti tha se Qeveria është në shërbim të qytetarëve, por edhe në shërbim të mekanizmave shtetërorë si Policia e Kosovës, pa të cilët nuk mund ta mbajmë zhvillimin e progresin, mirëqenien dhe dinjitetin e qytetarit të Republikës.
Kryeministri tha se nevojat dhe mungesat e tilla do të trajtohen me prioritet jo vetëm nga Ministria e Punëve të Brendshme, por nga i gjithë kabineti qeveritar.
Duke u shprehur mirënjohje për sakrificën dhe situatat e rrezikshme me të cilat përballen në punën e tyre, që Republika e Kosovës të jetë gjithmonë vend i kushtetutshmërisë, i ligjshmërisë, i drejtësisë dhe i sigurisë, kryeministri Kurti i uroi për 15 vjetorin e themelimit dhe i përgëzoi për angazhimin në veçanti komandantët e njësive.