Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se ushtria ruse ka humbur 150 ushtarë të tjerë në 24 orët e fundit dhe se numri i ushtarëve rusë të vdekur në luftë deri më sot ka arritur mbi 28.850.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës informoi për humbjet e ushtrisë ruse mes periudhës 24 shkurt-21 maj ndërsa thuhet se ushtria ruse në 24 orët e fundit ka humbur edhe 150 ushtarë të saj, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ushtria ruse ka humbur gjithsej 28.850 ushtarë si dhe janë rrëzuar 204 avionë dhe 169 helikopterë ndërsa janë shkatërruar 1.278 tanke, 3.116 mjete të blinduara, 596 topa, 201 sisteme raketahedhëse dhe 93 sisteme të mbrojtjes ajrore që u përkasin rusëve”, thuhet në deklaratë.
Forcat ruse po ashtu kanë humbur 2.178 automjete, 13 anije dhe skafe të lehta shpejtësie dhe 462 mjete ajrore pa pilot (dronë). Gjithashtu vihet në dukje se nga njësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës janë goditur dhe shkatërruar edhe 104 raketa lundruese të lëshuara nga rusët.
Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov në një deklaratë të bërë dje informoi në lidhje me humbjet e ushtrisë ukrainase deri më 20 maj.
“Deri më sot janë rrëzuar 172 avionë, 125 helikopterë, 952 mjete ajrore pa pilot ndërsa janë shkatërruar 314 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 3.168 tanke dhe mjete të blinduara, 396 multi-raketahedhëse, 1.571 obusë dhe mortaja si dhe 3.039 mjete ushtarake të veçanta të ushtrisë së Ukrainës”, deklaroi Konashenkov.
Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë më 25 mars njoftoi se në Ukrainë kanë humbur jetën 1.351 ushtarë rusë.
– Numri i fëmijëve të plagosur në sulmet në Ukrainë arrin në 430
Në një deklaratë nga Prokuroria e Përgjithshme Ukrainës thuhet se që nga 24 shkurti kur Rusia filloi sulmet e saj në Ukrainë e deri më tani 231 fëmijë kanë humbur jetën ndërsa 430 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të ushtrisë ruse./FolDrejt/