Vendet afrikane po nisin vaksinimin masiv kundër koronavirusit, duke përdorur vaksina të siguruara përmes skemës COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Bregu i Fildishtë është ndër të parët që përfiton nga COVAX dhe vaksinimi atje nisi të hënën. Gana po ashtu nis imunizimin këtë javë. Presidenti i Ganës, Nana Akufo-Addo, u bë i pari në vend që mori vaksinën të hënën.
Ai iu bëri thirrje njerëzve që të vaksinohen dhe të mos besojnë në teoritë e konspiracionit që hedhin dyshime mbi programin. Mbi 600,000 doza të vaksinës AstraZeneca pritet të shpërndahen të martën në të gjithë Ganën.
“Është e rëndësishme që unë të jap shembullin që kjo vaksinë është e sigurt, duke qenë i pari që e marr atë”, tha presidenti i Ganës, Akufo-Addo. Nigeria po ashtu pritet të marrë katër miliona vaksina këtë javë.
Programi COVAX synon shpërndarjen e drejtë të vaksinave edhe në vendet më të varfra të botës.