Sipas informacioneve që siguruan mediat austriake, rrjetet e supermarketeve në Austri u duhen rreth dy ose tre jave për t’u përgatitur për vaksinimin e punëtorëve të tyre. “Shpresojmë të fillojmë vaksinimin në mes të majit. Por kjo nuk është rregulluar ende sepse nuk ka asnjë angazhim fiks të vaksinës së nevojshme,” thotë një përfaqësues nga Spar për “APA”,.
Lidl Austria shpreson të bëhet e mundshme që vaksinimi për punonjësit e tij të fillon brenda dy javëve të fundit të muajt maj. Në çdo rast, punëtorët e supermarketit Lidl, të cilët dëshirojnë të marrin vaksinën, tashmë mund të regjistrohen për vaksinim. Dhe, kjo pavarësisht nga pozita e punës që ata kanë.
Rewe Austria, së cilës i përkasin supermarketet: Penny, Billa, Bipa dhe Adeg – gjithashtu pret që së shpejti të bëhet e mundur vaksinimi për punëtorët e tyre. “Kompanitë e lartcekura do të marrin vaksinat në fazën 3, sipas planit të qeverisë për vaksinime.
Ndërkohë, rrjeti tjetër i supermarketeve ushqimore “Hofer” ende nuk ka përcaktuar ndonjë plan vaksinimi për 12,000 punëtorët e tij. “Hofer tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet në mënyrë që të jetë në gjendje të fillojë vaksinimet sa më shpejt të jetë e mundur”, kanë deklaruar nga “Hofer” për “APA”.
Në anën tjetër, qeveria austriake premtoi që shumë shpejt do të filloj më fazën e tretë për vaksinimin e kompanive të mëdha. “Ne e dimë që shumë kompani janë të përgatitura mirë. Kjo do të thotë që ne duam të fillojmë vaksinimin në fillim të majit,” tha Katharina Reich, koordinatore e vaksinimit dhe udhëheqëse e sektorit për vaksina në Ministrinë e Shëndetësisë.