Të premten, me 15.04.2022, në ora 15:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, nën moderimin e Imer Topanicës, u promovuan tri libra.
Autorja shqiptaro-amerikane Desi Tahiraj promovoi dy libra që në temë, zhanër e fushë janë të ndryshme. Ishte libri i parë “Stresi i Skajshëm dhe Shërimi i tij”, libër që flet për një temë që deri vonë ishte tabu në vendin tonë, pasiqë në vendet shqiptare deri vonë të kesh depresion, stres ose ankth kronik dhe të shkosh tek psikologu ishte e metë. Libri i saj i dytë të cilin e promovoi është “Legjenda e Deas së Pathyeshme…”, i cili është një vepër letrare që bazohet në kujtesë, duke u kthyer në periudhën e komunizmit në Shqipëri.
Kurse Fatmir Keqi, promovoi librin “Shqiptarët, Islami dhe Demokracia Amerikane”, i cili provon të na e hapë një dritare të re rreth raporteve të shqiptarëve në Amerikë, duke e pasur për bazë Islamin dhe Demokracinë si premisa.
Promovimin e hapi moderatori Imer Topanica duke e cituar romancierin e famshëm francez Gustav Flobert:
“Mos lexoni siç bëjnë fëmijët, për t’u zbavitur apo siç bëjnë ambiciozët për të mësuar. Jo, lexoni që të jetoni!». Besoj që kjo thënie e ka gjetur vendin e vet sot, ndërsa po i promovojmë librat e Desi Tahirajt dhe Fatmir Keqit”.
Folësi i parë në promovim ishte Ardian Muhaj nga Shtëpia Botuese Ars & Academic Publishing, i cili në cilësinë e botuesit.
“Enver Hoxha ka shkruar një libër për rrezikun anglo-amerikan të titulluar “Rreziku anglo-amerikan në Shqipëri”, por shkruante për grekët “Dy popuj miq”. Kështu që libri i autorit Fatmir Keqi përbën një risi në trajtimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Përbën risi pasi nuk i trajton thjeshtë marrëdhënie shqiptaro-amerikane, të cilat mund t’i gjejmë në google, në wikipedia, por i problematizon”, tha ndër të tjera Muhaj në promovim.
“Autori trajton temën e Islamit, të cilën të tjerët e kanë shmangur dhe besoj që do të vazhdojnë ta shmangin edhe më shumë për shkak të pamundësisë për ta këndvështruar këtë marrëdhënie ashtu siç është”, shtoi ai.
Pas tij e mori fjalën Vehap Kola. Ai ndaloi tek libri i Desi Tahirajt “Legjenda e Deas së Pathyeshme” ku ndër të tjera tha: Është bërë një rastësi fatlume, pasi edhe emri Dea e pasqyron në mënyrë thuajse perfekte një tjetër narrativë personale të një autore tashmë të njohur edhe në qarqet e huaja, Lea Ypit, e cila e paraqet përvojen diktatoriale të Shqipërisë nga sytë e një fëmije deri diku të llastuar.
Fjalën e mori edhe autorja e dy librave Desi Tahiraj, e cila fjalën e saj e filloi me ëndrrën që e kishin dikur për ta vizituar Kosovën, por rrethanat në të cilat jetonin e bënin këtë ëndërr të parealizueshme.
“Unë jam nga Vlora me origjinë dhe të vijë në Kosovë ishte një ëndërr e parealizueshme në kohën e totalitarizmit. Është privilegj për mua që pas 28 vjetësh në New York, vijë dhe flas shqip në trojet tona. Eksperiencat që me shekuj kanë kaluar shqiptarët na kanë bërë ata që jemi ne sot dhe ne duhet të jemi krenar për këtë”, tha Tahiraj.
Ndërsa për librin tjetër “Stresi i Skajshëm dhe Shërimi i tij” Tahiraj tha se duke ardhur nga një vend i vogël si Shqipëria ku mentaliteti është më i mbyllur, i lindi dëshira që ta shkruaj këtë libër dhe të ndihmojë sadopak për njerëzit që kanë probleme të tilla.
Pas Desi Tahirajt, fjalën e mori autori i librit “Shqiptarët, Islami dhe Demokracia Amerikane”, Fatmir Keqi. Ai filloi nga historia e mëhershme duke thënë se osmanët nuk ishin perandori, ndërsa shqiptarët nuk ishin komb, por vetëm të shpërndarë nëpër principata, kur u bashkuan në aleancë shqiptarët me osmanët, osmanët u bën perandori, kurse shqiptarët u bën komb.
Ai bën një analogji mes aleancës së dikurshme osmano-shqiptare me aleancën e mëvonshme amerikano-shqiptare, duke e marrë shembull vitin 1999 kur Amerika i ndihmoi Kosovës për t’u çliruar nga agresori serb.
Në fund foli edhe redaktori i dy librave, Albri Brahusha.
“Të tre librat në vetvete sjellin një risi. Nëse një libër nuk provokon një debat ai nuk ka kryer asnjë punë”, tha ai ndër të tjera./FolDrejt/