Në kompleksin e kullave të heroit Isa Boletini, në fshatin Boletin në veri të Kosovës, u shënua sot edicioni i pestë i Ditës së Plisit, ku përveç familjarëve të heroit dhe strukturave komunale, morën pjesë edhe shumë mysafirë nga të gjitha trevat shqiptare.
Manifestimi ka nisur me homazhe tek shtatorja e Isa Boletinit në Mitrovicë, ndërsa në Boletin nuk munguan as muzika folklorike me lahutë e çifteli, poezitë kushtuar heroit e plisit, si dhe vallet popullore.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, veç tjerash foli edhe rreth ndarjes së Mitrovicës.
Sipas tij, derisa qyteti i Mitrovicës të jetë gjallë, një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë.
“Dikush dëshiron ta ndaj Mitrovicën, ta ndaj këtë territor komplet. Por ta dini se sa të është gjallë qyteti i Mitrovicës dhe i Isa Boletinit, nuk do të ndodhë kjo… Kërcënimet nuk më frikësojnë absolutisht, veç më bëjnë më të fortë”, ka thënë Bahtiri.
Rrezarta Loxha-Vitaku, drejtoreshë e Qendrës Rajonale e trashëgimisë kulturore në Mitrovicë, ka përgëzuar organizatorët e manifestimit për shkak të zgjedhjes që ky manifestim të mbahet pikërisht në Boletin.
“Ju them sinqerisht, edhe po të kishim kërkuar gjithandej trojeve shqiptare, zor se do të gjenim ndonjë vend më meritor për ta përmbyllur këtë manifestim, sesa vendin ku ndodhemi sot, pra këtu në Boletin…Sigurisht që ne këndej pari dhamë edhe Hasan Prishtinën e ndonjë tjetër tribun, por Isa i Boletinit është ai imazhi emblematik që na është ngulitur në kujtesën mbarëkombëtare për momentet e shpalljes së pavarësisë. E kjo në radhë të parë për shkak të plisit”, theksoi Loxha-Vitiku.
Gazmend Boletini, stërnipi i heroit kombëtar, duke folur për rëndësinë e plisit, tha se Isa për 35 vite me radhë ka nderuar veshjen kombëtare dhe plisin, jo vetëm në trojet shqiptare, por gjithandej në botë.
“Isa 35 vite radhazi e nderoi veshjen kombëtare, opingat e tij, xhamadanin dhe plisin e tij. Jo vetëm në Kosovë dhe trojet shqiptare, por edhe në arenën ndërkombëtare”, tha ai.