Rregullatori britanik i energjisë ka paralajmëruar se Britania mund të përballet me një rrezik të konsiderueshëm të mungesës së gazit gjatë dimrit.
Kjo mund të nënkuptojë se konsumatorëve të mëdhenj industrialë në Mbretërisë së Bashkuar do t’u kërkohet të ndalojnë përdorimin e gazit nëse shpallet një gjendje e jashtëzakonshme për shkak të mungesave, të shkaktuara kryesisht nga pasojat e luftës ruso-ukrainase, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Paralajmërimi është publikuar edhe në gazetën londineze “Times”.
Edhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IAE) tha se situata në tregjet globale të gazit natyror do të mbetet kritike vitin e ardhshëm, me dërgesa më të ulëta të gazit nga Rusia në Evropë, çmime të larta, kërkesë më të ulët dhe ndikim të masave për ruajtjen e energjisë.
“Duke marrë parasysh se ulja e dërgesave të gazit natyror nga Rusia në Evropë po rrit çmimet ndërkombëtare dhe po prish flukset tregtare, kjo po çon në mungesa në ekonomitë e zhvilluara dhe ekonomitë në zhvillim”, tha IEA.
Gjithashtu thuhet se fluksi i reduktuar nga Rusia në Evropë thellon tensionet dhe pasigurinë e tregut përpara dimrit të ardhshëm, jo vetëm për Evropën, por edhe për të gjitha tregjet që mbështeten në të njëjtin burim furnizimi me gaz natyror të lëngshëm.
Sipas të dhënave nga Parlamenti Britanik në vitin 2021, importet nga Rusia përbënin katër për qind të gazit të përdorur në Britaninë e Madhe, nëntë për qind të naftës dhe 27 për qind të qymyrit. Vitin e kaluar, importet e gazit, naftës dhe qymyrit nga Rusia në Britaninë e Madhe ishin 4,5 miliardë sterlina.
Sipas të dhënave të Eurostat-it, në vitin 2020 importet nga Rusia përbënin 39 për qind të gazit të përdorur në Bashkimin Evropian, 23 për qind të naftës dhe 46 për qind të qymyrit./FolDrejt/