Kryeqytetet e Luksemburgut, Maltës dhe Estonisë janë vlerësuar më së miri për transportin publik falas në një analizë të re të organizatës mjedisore Greenpeace të publikuar sot, ndërsa Dublini, Londra, Amsterdami dhe Parisi janë kryeqytetet evropiane me biletat më të shtrenjta.
Bazuar në një analizë të aksesit të transportit publik në 30 vende evropiane, Greenpeace arriti në përfundimin se çmimet janë shumë të larta në shumicën e vendeve dhe se Evropa është larg nga një sistem transporti publik që është i lehtë për t’u përdorur dhe i aksesueshëm për të gjithë.
Përveç Luksemburgut dhe Maltës, ku transporti publik është falas në të gjithë vendin, vetëm Austria, Gjermania dhe Hungaria kanë çmime relativisht të volitshme në të gjithë vendin, por Greenpeace vlerëson se për shkak të çmimit prej tre euro në ditë, është i papërballueshëm për të gjithë.
Në fund të listës është Bullgaria, e cila nuk ka marrë asnjë pikë, e ndjekur nga Kroacia, Greqia dhe Norvegjia.
Kur bëhet fjalë për kryeqytetet, transportin më të shtrenjtë e kanë Dublini, Londra, Parisi dhe Amsterdami, ku çmimet e biletave janë mbi 2.25 euro në ditë. Një biletë vjetore në Amsterdam, për shembull, kushton 1001 euro, ose 2.27 euro në ditë.
Banorët e Pragës paguajnë biletën vjetore më të lirë, 156 euro, ose 0.60 euro në ditë. Pas Pragës, çmimet vjetore të biletave janë më të ulëtat në Bratislavë, Madrid, Romë dhe Vjenë, ku kushtojnë më pak se 0.85 euro në ditë.
Talini është qyteti i parë në Evropë që prezantoi transportin publik falas për banorët e tij në vitin 2013, por turistët ende duhet të blejnë bileta. Transporti publik në Luksemburg, duke përfshirë trenat, është falas nga viti 2020 në të gjithë vendin.
Kriteret në renditjen e vendeve dhe kryeqyteteve ishin, përveç çmimit të biletave, thjeshtësia e sistemit të blerjes, pra nëse bileta është e vlefshme për mjete të ndryshme transporti dhe në disa rajone, disponueshmëria mujore apo biletat vjetore, zbritjet për studentët, të moshuarit dhe të papunët, si dhe normën tatimore.
Rreth dy të tretat e vendeve të analizuara nuk kanë abone mujore ose vjetore për të gjithë vendin, sipas raportit.
Nga 1 maji, Gjermania dhe Hungaria prezantuan një biletë të re me kosto të ulët që vlen në të gjithë territorin.
Bileta mujore e Deutschlandticket (në Gjermani) kushton 49 euro dhe mund të përdoret në të gjitha mjetet e transportit publik lokal dhe rajonal.
Taksa më e lartë paguhet në Rumani, Bullgari, Estoni, Sllovaki, Irlandë, Kroaci dhe Hungari.
“Transporti publik i përballueshëm është thelbësor, por shumë qeveri e trajtojnë atë si një luks,” tha Lorelai Limousin nga Greenpeace, sipas EUObserver.
Heqja e taksave për biletat e autobusëve dhe trenave është mënyra më e lehtë për të motivuar njerëzit që të vozisin më pak, por Limousin beson se duhet bërë më shumë.
“Qeveritë duhet të prezantojnë ‘bileta klimatike’ të thjeshta dhe të përballueshme për transportin publik për të reduktuar faturat e njerëzve dhe përdorimin e naftës që po e çon planetin tonë drejt katastrofës klimatike,” tha Limousin, transmeton Fol Drejt.