“Krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetar dhe Republikën tonë”, tha deputetja Duda Balje.
Në derën e shkollës së mesme teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë krahas paralajmërimeve të vendosura për ndalimin e futjes me armë, alkool, duhan, është vendosur edhe një mesazh sinjalizues që ndalon hyrjen për vajzat me shami, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Kjo zgjoi reagime të shumta të enjten tek qytetarët e Kosovës, të cilët kërkuan që një veprim i tillë të eliminohej, ngase krahasimi i një simboli fetar si shamia me armët, alkoolin dhe duhanin është fyerje për komunitetin musliman.
Një reagim kundërshtues e ka bërë mbrëmjen e së enjtes edhe deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak në Kuvendin e Kosovës, Duda Balja, e cila e quajti skandaloz vendosjen e simbolit fetar krahas gjërave tjera të ndaluara.
Në reagimin në rrjetet sociale, deputetja Balje drejtoreshën e shkollës në fjalë, Florentina Gjergjaj, e ka pyetur se “në bazë të cilës Kushtetutë apo ligj janë vendosur simbolet ndaluese”.
Ajo ka thënë se pajtohet vetëm me një pjesë të simboleve të përdorura në derë të klasës së këtij institucioni të dijes.
“Krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetar dhe Republikën tonë, pa përjashtuar edhe besimet fetare. Unë nuk mund të jam indiferente dhe gjithashtu kërkoj një sqarim edhe nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Krahasimi i një arme që vret, me atë të një vajze me shami, për mua është vrasje e të drejtës së besimit të saj”, theksoi Balje.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Florentina Gjergjaj i është përgjigjur deputetes Balje në një shkrim në rrjetet sociale të publikuar gjatë mesnatës, duke thënë se ajo thjeshtë ka zbatuar “ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi”.
“Nuk e di ju si deputete e Kuvendit të Kosovës a e praktikoni t’i lexoni ligjet, rregulloret, udhëzimet administrative, etj., të cilat lidhen me punën tuaj. Unë për vete, po”, theksoi Gjergjaj.
Për veprimin që ndodhi në shkollën që ajo drejton, Gjergjaj tha se është i bazuar në udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të vitit 2014, ndërsa tha se “asnjë fushatë e ulët, manipuluese me dashakeqësi dhe përçarëse ndaj saj nuk do të mund të ndikojë që ajo t’i shkelë ligjet dhe udhëzimet administrative”.
“Për fushatën e kërcënimeve që ju nxitet sonte ndaj meje, natyrisht se nesër do t’i drejtohem autoriteteve të sigurisë. Pasi unë besoj fuqishëm në lirinë, demokracinë dhe sigurinë Kushtetuese që ma ofron vendi dhe shoqëria ime – Kosova – për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e mija ligjore, si qytetare dhe zyrtare publike e këtij vendi”, tha drejtoresha e shkollës.
Deputetja Balje njihet për deklarimet e saj në mbrojtje të respektimit të uniformës fetare dhe lejimit të saj në institucionet shkollore.
Ajo në dhjetor të vitit 2021 ka kërkuar që edhe udhëzimi administrativ i ministrisë të ndryshohet ngase ndalimi i mbajtjes së shamisë “i privon gratë muslimane nga e drejta për të vendosur vetë”.
Në Kosovë nuk ekziston ndonjë ligj që kufizon lirinë e vajzave dhe grave muslimane për të shprehur besimin e tyre fetar përmes veshjes, por, një ndalesë e tillë zbatohet vetëm me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit./FolDrejt/