Kryeministri Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve e ka falënderuar Shqipërinë për kontributin që ka dhënë për kosovarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ai, në një konferencë pas mbledhjes së tetë të të dyja qeverive, ka thënë se Kosova nuk mund të qëndrojë pa kujtuar ndihmën e Shqipërinë, në çdo përvjetor të Ditës së Çlirimit.
“Tetë ditë më parë e festuam 23 vjetorin e Ditës së Çlirimit dhe Paqes, ndërkaq sot është Dita Botërore e Refugjatëve. Kur kremtojmë 12 qershorin nuk mund të mos e kujtojmë rolin e rëndësishëm që kishte Republika e Shqipërisë në luftën tonë për çlirim dhe të përkujtojmë dëshmorët dhe luftëtarët shqiptarë që iu bashkuan luftës çlirimtare”.
“Kur shënojmë Ditën e Refugjatëve nuk mund të mos jemi falënderues ndaj familjeve shqiptare që strehuan bashkombasit e tyre të cilët po dëboheshin masivisht dhe kërcënoheshin nga spastrimi etnik në prill të 99-ës. Në përvjetore dhe ditë si këto nuk mund të kujtojmë vetëm dhimbjen që na është shkaktuar nga agresori por edhe ndihmën që na është dhënë nga motrat dhe vëllezërit tanë”, ka thënë Kurti.