Liz Truss pritet që të jetë drejtuesja e re e konservatorëve britanikë, që do të pasojë Boris Johnson. Ajo është në garë të ngushtë me Rishi Sunak.
Një ditë pasi mbetën vetëm në garë, pasi u eliminua edhe Penny Mordant, “dy gladiatorët” prezantuan programin e tyre. Të dy shihen si kandidatët më të mirë për të mundur partinë Laburiste, e cila kryeson në sondazhet në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024, kryesisht për shkak të skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë së Boris Johnson.
Por sipas një sondazhi të YouGov, Liz Truss do të fitonte lehtësisht udhëheqjen konservatore, me 62% ndaj 38% të Rishi Sunak. 40% e të anketuarve gjithashtu komentuan se nuk kanë besim te Sunak.
Ish-ministri i financave këmbënguli se ai është në një pozicion më të mirë për të mundur Laburistët në zgjedhjet e përgjithshme. “Nëse shikoni të gjitha sondazhet që kemi dhe kuptoni se çfarë thonë ata, është e qartë se unë jam në një pozicion më të mirë për të mundur Keir Starmer në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai për televizionin LBC.
Duke folur për Daily Mail, Liz Truss theksoi “vlerat e saj konservatore” dhe synimin e saj për të ulur menjëherë taksat të cilat janë rritur “në nivelin e tyre më të lartë në 70 vjet”.
Në një intervistë për BBC këtë mëngjes, Truss tha se do të dëshironte që “Boris të vazhdonte si kryeministër” pavarësisht skandaleve, por ao “nuk kishte më mbështetjen” e partisë në parlament. /abcnews.al/