Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser njoftoi se krimet politike të kryera në vend vitin e kaluar u rritën me 23 për qind në 55.48.
Ministrja Faeser në një konferencë për media në Berlin me Shefin e Zyrës Federale të Policisë Kriminale, Holger Münch publikuan “Raportin e Krimeve Politike 2021”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke thënë se krimet politike të kryera në vend u rritën me 23 për qind në 55.048, Faeser tha se kjo tregon se sa e domosdoshme është puna e organeve të sigurisë për mbrojtjen e demokracisë.
Ajo theksoi se 41 për qind e viktimave të dhunës u sulmuan nga e djathta ekstreme. “Kjo tregon se e djathta ekstreme është kërcënimi më i madh për demokracinë dhe popullin tonë. Ne kemi rritur ndjeshëm shpejtësinë tonë me planin tonë të veprimit kundër ekstremit. Duhet të ndalojmë spiralen e urrejtjes dhe dhunës”, tha Faeser.
Ministrja potencoi se ka një rritje prej 29 për qind të numrit të krimeve antisemitike, gjë që e shqetëson atë. “Është turp për vendin tonë që kaq shumë gjuhë urrejtjeje antisemitike është ende e përhapur sot”, shtoi Faeser.
Kreu i Zyrës Federale të Policisë Kriminale, Holger Münch tha se numri i krimeve të motivuara politikisht është dyfishuar në 10 vitet e fundit.
“Kjo rritje pasqyron tensionet sociale në rritje dhe tendencat në polarizimin dhe radikalizimin që po sfidojnë ndjeshëm ndërveprimin social në zhvillim, sundimin e ligjit dhe demokracinë mbrojtëse në disa segmente të popullsisë”, tha Münch.
Në vitin 2020 janë regjistruar 44.692 krime politike në vend./FolDrejt/