Mësimdhënësve nuk iu ka dalë paga e muajit shtator për shkak të grevës pesëjavore në arsim.
Mirëpo, paga kanë marrë të gjithë punëtorët e administratave komunale ani se edhe ata ishin pjesë e grevës në sektorin publik.
Por, pse është bërë një diferencim i tillë?
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha për Klankosova.tv se për dallim nga punëtorët e arsimit për ata të administratës nuk ka pasur informacione të plota se kush ka grevuar e kush jo.
Ai thotë se parimi pagë për punë do të respektohet dhe kjo do të trajtohet nga auditori.
“Për dallim nga punëtorët e arsimit, për punëtorët në administratës publike ne nuk kemi pasur informata të plota se kush ka grevuar dhe jo, meqë greva aty nuk ka qenë homogjene. Megjithatë, kjo çështje do të trajtohet nga auditori. Parimi pagë për punë do të respektohet”.
Mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit ka shkaktuar shumë reagime nga SBAShK-u, shoqëria civile e opozita, e madje kanë reaguar edhe disa deputetë nga pozita.
Sot për këtë çështje ka folur edhe Këshilli i Prindërve të cilët kanë thënë se pa u paguar mësimdhënësit nuk ka kuptim kalendari i ri shkollor, e aq më pak kompensimi i orëve të humbura gjatë grevës.
Ministri i Financave Hekuran Murati, duke u thirrur në Ligjin për Grevat, vazhdon të insistojë se kush punon edhe duhet të paguhet.
“Çka do që thotë ligji dhe ligji thotë se kush punon duhet të paguhet dhe patjetër që duhet ta respektojmë këtë obligim ligjor”, ka deklaruar ai.