Bashkimi Evropian (BE) ka bërë thirrje për lirimin “të menjëhershëm” të palestinezit Halil Avavde, i cili prej rreth 6 muajsh është në grevë urie kundër ndalimit administrativ të Izraelit.
Në një mesazh në rrjetet sociale të shpërndarë me një foto të Avavde-s, i cili humbi tepër peshë për shkak të grevës së urisë, Delegacioni i BE-së në Palestinë tha: “Jemi të shokuar me fotot e Avavde-s në prag të vdekjes, i cili prej 170 ditësh është në grevë urie për të protestuar për arrestimin e tij pa asnjë akuzë. Nëse kundër tij nuk ngrihen akuza ai duhet të lirohet sa më shpejt të jetë e mundur”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në videon e publikuar nga familja e tij, Avavde njoftoi se do të “vazhdonte veprimet e tij kundër praktikës arbitrare të Izraelit” pavarësisht nga përkeqësimi i gjendjes së tij shëndetësore në spitalin ku mbahej nën vëzhgim.
– Çfarë kishte ndodhur?
Avavde, i cili u arrestua disa herë nga Izraeli, së fundmi më 27 dhjetor 2021, filloi një grevë urie kundër vendimit të “arrestit administrativ”.
Avavde e përfundoi grevën e urisë, të cilën e vazhdoi për 111 ditë, më 21 qershor, pavarësisht garancisë se vendimi i “arrestit administrativ” do të hiqej, por rifilloi grevën e urisë më 3 korrik pasi Izraeli nuk e mbajti premtimin.
Kërkesa për lirimin e Avavde-s u refuzua nga Gjykata Ushtarake Ofer në Bregun Perëndimor më 15 gusht.
Duke folur për AA më 25 gusht për gjendjen shëndetësore të të burgosurit palestinez, bashkëshortja e tij Delal Avavde tha se gjendja shëndetësore e bashkëshortit të saj ishte shumë kritike dhe se ata ishin “të shqetësuar se ai do të vdiste në çdo moment”.
– “Arrestimi administrativ”, Dënimi “jashtëgjyqësor” i Izraelit për palestinezët
Përshtatur nga Ligji i Emergjencave në epokën koloniale britanike, ligjet ushtarake izraelite përfshijnë praktikën e “ndalimit administrativ”, ku personi i arrestuar nuk mund të mësojë për akuzën ose provat përkatëse për arsye “sigurie”.
Kjo praktikë, e cila është kundër të drejtave të njeriut, kritikohet ashpër nga organizatat izraelite dhe palestineze të të drejtave të njeriut si dhe nga organizatat ndërkombëtare.
Ushtria izraelite, në bashkëpunim me agjencinë vendase të inteligjencës Shabak (Shin-Bet), në Bregun Perëndimor të pushtuar mund të ndalojë palestinezët si “paraburgim administrativ” me arsyetimin se ata “mund të kryejnë krime në të ardhmen”. Palestinezët në paraburgim sillen para një gjykate ushtarake brenda 8 ditëve.
Megjithatë, palestinezi i ndaluar apo avokati i tij nuk mund të mësojnë arsyen e arrestimit të paraqitur në gjykatë nga prokurori ushtarak dhe provat përkatëse me arsyetimin se “mund të dëmtojë sigurinë”. Prandaj nuk është e mundur që të kryhet një proces gjyqësor apo mbrojtje.
Sipas organizatave izraelite të të drejtave të njeriut, gjykatat ushtarake veprojnë si “organet automatike të miratimit” për vendimet kundër të arrestuarve.
Palestinezët mund të burgosen deri në 6 muaj pa mësuar akuzën ndaj tyre dhe pa të drejtë të mbrohen. Periudha e paraburgimit të një palestinezi që dërgohet sërish në një gjykatë ushtarake gjashtë muaj më vonë, por pa dijeni për akuzën, mund të zgjatet në mënyrë të përsëritur deri në 5 vjet./FolDrejt/