Sot në Kosovë u shënua Dita Botërore të Personave të Moshuar.
Kjo e fundit u shënua nën moton “Qëndrueshmëria dhe kontributet e grave të moshuara në një botë në ndryshim”, transmeton Fol Drejt.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Kombëtar, Prof. Dr.Naser Ramadani tha se shënimi i Ditës Botërore të Personave të Moshuar, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimin për çështjet që prekin të moshuarit, të tërheqë vëmendjen dhe të sfidojë stereotipet dhe keqkuptimet negative për të moshuarit dhe plakjen, t’u mundësohet të moshuarve të kuptojnë potencialin e tyre, për të vlerësuar kontributin e të moshuarve në shoqëri si dhe për të dëshmuar respektin ndaj tyre.
“Ne si IKSHPK ndjehemi mirë që pas një kohe të gjatë të angazhimit të vazhdueshëm, në ngritjen e ndërgjegjësimit dhe të ndërmarrjes së veprimeve që lidhen me të moshuarit dhe kujdesin ndaj tyre, tashmë është e dukshme që aspektet që lidhen me këtë fushë janë gjithnjë e më të pranishme dhe të trajtuara edhe në opinionin publik edhe nga institucionet përgjegjëse në vendin tonë”, tha mes tjerash ai.
Zëvendësministre e Shëndetësisë, Dr. Dafina Gexha tha se Ministria e Shëndetësisë, do të vazhdojë të zhvillojë programin e saj për një kualitet më të mirë të shërbimeve shëndetësore, brenda të cilave të moshuarit edhe në të ardhmen do t’i kenë shërbimet falas, ndërkohë që, përmes Strategjisë së re të Shëndetësisë, sipas saj, rëndësi do t’u japin edhe fuqizimit të shërbimeve të kujdesit shtëpiak, përfshirë shërbimet e paliacionit.
Përveç kësaj, ajo informoi se MSh ka porositur vaksina të mjaftueshme për këtë kategori dhe se ata do të informohen së shpejti për kohën e vaksinimit, ndërkohë që edhe sot bënë thirrje që të moshuarit të marrin dozat përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.
Përfaqësuese nga shoqata “Vita-Jeta”-znj. Rabije Slivova tha se aktivitetet e kësaj shoqate, iu shërbejnë grave të moshuara që të shoqërohen me njëra-tjetrën, të largohen nga problemet e përditshme, dhe të vetëdijësohen për shëndetin e tyre, me anë të ligjëratave dhe trajnimeve të ndryshme.
Znj. Fahrije Ajeti nga MFPT tha se kjo Ministri, të moshuarit i trajton në dy rrafshe:
1.Mbrojtja institucionale-rezidenciale dhe
- Përkrahja financiare.
Ajo tha se në Kosovë aktualisht janë 5 shtëpi, të cilat ofrojnë shërbime dhe përkujdesje 24 orëshe për personat e moshuar, pa përkujdesje familjare, të cilët janë edhe raste sociale.
Sipas saj, këto shtëpi janë në këto komuna: në Skenderaj, Istog, Graçanicë dhe Novëbërdë.
Dr. Pranvera Krasniqi, nga Qendra e Moshimit në IKSHPK, shpalosi një prezantim, me titull “Qëndrueshmëria dhe Kontributet e Grave të Moshuara, në një botë në ndryshim”, ku theksoi objektivat për vitin 2022:
*Të nënvizohet qëndrueshmëria e grave të moshuara përballë pabarazive mjedisore, sociale, ekonomike dhe gjatë gjithë jetës.
*Të rritet ndërgjegjësimi për rëndëësinë e përmirësimit të mbledhjës së të dhënave në mbarë botën, të ndara sipas moshës dhe gjinisë.
*T’u bëhet thirrje institucioneve dhe shoqërisë civile, që të përfshijnë gratë e moshuara, në qendër të të gjitha politikave, duke siguruar barazinë gjinore./FolDrejt/