Nga sot qytetarët të cilët duan të hynë në objekte të mbyllura, restorante apo qendra tregtare duhet të posedojnë certifikatë si dëshmi për dy doza të pranuara të vaksinës ose dokument dëshmi se 45 ditë më parë ka kaluar koronavirusin. Ministria e Shëndetësisë, pret që kjo masë të rrisë përqindjen e qytetarëve të vaksinuar kundër virusit korona.
“Ministria e Shëndetësisë bën apel deri te qytetarët që t’i respektojnë masat dhe të jenë të përgjegjshëm. Iu bëjmë thirrje qytetarëve të cilët ende nuk janë vaksinuar, sa më shpejtë ta kryejnë këtë proces. Vetëm me imunitet kolektiv do ta mundim virusin”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Gjatë vizitës së disa restoranteve e kafeneve nga ekipi ynë, shumica e pronarëve thanë se nuk ishin njoftuar për masën e re, megjithëse këtë gjë nuk pranoi asnjëri ta thotë para kamerës. Qytetarët nga ana tjetër pohuan se në asnjërën nga kafenetë nuk iu është kërkuar certifikatë vaksinimi, madje as të dozës së parë.
“Askush nuk më ka kërkuar asnjëfarë dokumenti. Kam ecë, kam hyrë nëpër lokale, askush s’më ka kërkuar gjë. A ju ka rastis sot të hyni në ndonjë lokal? Në 3 vende kam hyrë sot, askush nuk më ka kërkuar asgjë, kjo masë mendoj se është kështu veç kot”.
“Në sa vende ju ka ndodh sot të hyni dhe a ju kanë kërkuar certifikata? Dy herë, në kafe dhe të shitore por jo, nuk më kanë kërkuar certifikatë”.
“Jam e informuar dhe e vaksinuar, nuk i dëgjoj dhe aq shumë informacionet e reja meqë i kam marrë të dy vaksinat”.
“Këtu në Shkup më lirshëm është, mundesh të hysh edhe pa vaksinë ndonjëherë. Varet nga qyteti. Në Prilep p.sh nuk mund të bësh asgjë. Këtu nuk ju kanë kërkuar certifikatë? Jo, jo. Ne jemi nga Prilepi, jemi këtu vetëm disa ditë dhe kemi pirë kafe pa problem”. Raporton AlsatM.mk percjell Foldrejt.com