NATO nuk duhet të lejojë që pushtimi rus i Ukrainës të kalojë në një luftë midis aleancës dhe Moskës, tha të premten shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke përjashtuar përsëri një zonë të ndaluar fluturimi.
“Ne kemi përgjegjësinë për të parandaluar që ky konflikt të përshkallëzohet përtej kufijve të Ukrainës dhe të shndërrohet në një luftë të plotë midis Rusisë dhe NATO-s”, tha ai.
Ai paralajmëroi se një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë “me shumë gjasa do të çonte në një luftë të plotë midis NATO-s dhe Rusisë”, duke shkaktuar “edhe më shumë vuajtje, edhe më shumë vdekje dhe shkatërrim”.
Stoltenberg tha se një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë do të thotë se NATO-ja do të duhet të heqë sistemet ruse të mbrojtjes ajrore jo vetëm në Ukrainë, por edhe rreth Bjellorusisë dhe Rusisë.
“Kjo do të thotë se ne duhet të jemi gati për të rrëzuar aeroplanët rusë, sepse një zonë ndalim-fluturimi nuk është vetëm diçka që deklarojmë se do ta vendosim”, tha ai për AFP-në në forumin e diplomacisë në Antalia të organizuar nga Turqia.
Ai shtoi se trajnimi i dhjetëra mijëra trupave ukrainase nga vendet anëtare të NATO-s në vitet e fundit, si dhe furnizimi me pajisje ushtarake, kishte rezultuar “jashtëzakonisht i rëndësishëm (për forcat e Ukrainës) në luftën kundër forcave pushtuese ruse”.
“Gjëja më e rëndësishme është që Presidenti (Vladimir) Putin duhet t’i japë fund kësaj lufte të pakuptimtë,” tha ai.
Ai vlerësoi gjithashtu përpjekjen e Turqisë për të lehtësuar bisedimet të enjten midis ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës në Antalia.
“Është e rëndësishme që aleatët të vazhdojnë të përpiqen të mbështesin, të lehtësojnë një zgjidhje politike”, tha ai.
Zona e ndalim-fluturimit është një zonë e hapësirës ajrore – mbi një vend të tërë ose pjesë të tij – ku nuk lejohet të fluturojë asnjë aeroplan ose ndonjë objekt tjetër ajror, përveç atyre që kontrollojnë hapësirën ajrore.
Ajo zakonisht ndërmerret për t’i mbrojtur civilët në terren gjatë një lufte, si dhe për të lejuar dërgimin e sigurt të ndihmave humanitare.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhrin për pushtim pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes./REL/