Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, dje me datë 28 maj 2022, nga ora 12.00, organizoi aktivitetin letrar “Takim me shkrimtarin Aziz Mustafa në qytetin e Klinës”, i cili u zhvillua në kuadër të programit për takime me shkrimtarë të ndryshëm e të rëndësishëm shqiptarë në qyteza të ndryshme të Kosovës.
Artdashësit në Klinë u njoftuan me veprën e shkrimtarit Aziz Mustafa, njërit prej zërave më të artikuluar të prozës dhe poezisë së sotme shqipe.
Shkrimtari Aziz Mustafa, ndër të tjera, në takim potencoi përkushtimin e dyzuar në prozë e poezi, motivet dhe shkaqet që romani i tij të ketë subjekt rrëfyes Japoninë, foli për raportin e kujtesës dhe imagjinares, sa merr nga jeta e tij e sa “prodhon” fiksion në veprën e tij. Përveç veprës së tij, Mustafa foli për letërsinë shqipe e atë botërore, foli për autorët si Ismail Kadare e Fatos Kongoli, Haruki Murakami, Gabriel Garsia Marquez e Umberto Eco, foli për përkthimin e mbi të gjitha trajtesë interesante i dha edhe relacionit mes mjekësisë, në rastin e tij otorinolaringologjisë dhe letërsisë.
“Njeriu e krijon profilin e tij ngadalë, varësisht në mënyrën se si e jeton jetën, varësisht nga përvojat që fiton e leximet që bën. Është transponimi, pra bartja e përvojës në art e cila është esenca e procesit krijues. Gjithmonë në fillimet e shkrimit paraqitet pyetja Kush jam unë, pse jam unë, çka shkruaj dhe çka do të doja të shkruaj?”, tha përveç tjerash Mustafa.
“Është interesante se autori edhe libri kanë jetë edhe të përbashkët edhe të ndashme. Janë jetë paralele. Jeta e autorit, profili psikologjik, profili letrar, profili jetësor dhe vepra artistike. Nganjëherë nuk shkojnë në mënyrë paralele, por ndërthuren. Unë jam munduar që ato përvojat e mija jetësore, mendimet e idetë t’i shfaq në poezi si formë më e shkurtër dhe shumë më ekspresive, por edhe në prozë”, shtoi ai.
Autori, erudicionin e tij e shfaqi edhe kur foli për poetët e tij të preferuar në Kosovë si Ali Podrimja e Azem Shkreli dhe për poetët e tij që i pëlqen në Shqipëri, Visar Zhitin e Xhevahir Spahiun.
Takimi përfundoi me pyetje dhe komente nga publiku.
Vlen të përmendet se shkrimtari Aziz Mustafa, deri më tani, është autor i pesë veprave letrare:
“Mos e harro Japnoninë, Suzanë”, roman,
“Toka ime është në dashuri”, tregime,
“Mëso të thuash jo”, poezi,
“Matja e kohës së ndalur”, poezi,
“Pasaportë kam kafkën time”, poezi.
Ky takim u organizua nga Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, si dhe Drejtorinë për Kulturë të komunës së Klinës/FolDrejt/