Në mbledhjen e 94 të Qeverisë së Republikës së Kosovës të mbajtur dje, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë është marrë vendimi për vendosjen e obligimit për shërbim publik shtesë kompanisë që vepron si Furnizues i Shërbimit Universal (FShU), sipas zotimit të ndërmarrë më parë nga Qeveria për të subvencionuar tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët, shkruan Fol Drejt.
Me këtë vendim, obligohet FShU që të sigurojë energjinë elektrike për furnizimin e konsumatorëve nën kushtet më të favorshme ekonomike dhe të përdorë fondet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në formë të subvencionit të dedikuara për konsumatorët për të zbutur ndikimin e tarifave të energjisë elektrike tek qytetarët.
FShU gjithashtu obligohet që t’i ofrojë informata të sakta konsumatorëve për ndikimin e subvencionit në faturën e tyre mujore. Ndërsa, Ministrisë së Ekonomisë të dhëna të detajuara mbi shfrytëzimin e subvencionit. Në këtë mbledhje gjithashtu u mor vendimi për ndarje të mjeteve në shumë prej 41 milionë euro tek Ministria e Ekonomisë, për të mundësuar kështu disbursimin e mjeteve për subvencionimin e konsumatorëve për periudhën shkurt-korrik 2022.
Kjo shumë është pjesë e zotimit prej 90 milionë euro të dhënë nga Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti si rrjedhojë e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, me qëllim të zbutjes së ndikimit të rritjes së tarifave tek konsumatorët.
Ndërkaq, nga shuma prej 10 milionë euro të ndara tek KEK për subvencionimin e energjisë elektrike në janar të vitit 2022 janë shpenzuar gjithsej rreth 3 milionë euro./FolDrejt/