Sot gjatë ditës, ndërsa kabineti qeveritar po e mbanë mbledhjen e radhës, Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka shtjelluar dakordimin ndërmjet Kosovës dhe BE-së për de-eskalimin e situatës në veri të vendit, shkruan Fol Drejt.
Sipas kryeministrit duhet të krijoheshin kushtet për fokus në zbatimin e plotë dhe pa kushte të marrëveshjes bazike të arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe aneksin e saj të dakorduar në Ohër më 18 mars.
Për këtë qëllim u realizua takimi në Bratisllavë ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit Miroslav Lajçak.
“Në këtë kontekst zv.kryeministri ka arritur dakordim me emisarin Lajçak për këto pika.
Pika e parë, ka të bëjë me reduktimin e ¼ të policëve që gjenden brenda ndërtesave komunale apo në afërsi të tyre. Ata do të zhvendosen diku tjetër në po ato komuna dhe do të vazhdojnë detyrën atje ku ka nevojë më shumë për ta meqenëse konsiderojmë se pranë ndërtesave komunale situata tash e dy javë është më e qetë”, ka thënë Kurti.
Sa i përket pikës së dytë, Kryeministri Kurti tha se ka qenë kërkesë e jona që nga fillimi, meqë KFOR-in, policinë dhe strukturat e sigurisë, i shohin në një rol të përbashkët.
Edhe për pikën e tretë ku parashihet mbajtja e zgjedhjeve të reja, ai ka treguar se Kosova ka qenë e gatshme për ri-organizimin e tyre.
“Ne kemi shprehur përkushtimin tonë që të sigurohet baza ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme komunale. Për këtë duhet të sigurohet ambienti që mundëson fushatën e mirëfillti, pluralizëm politik, pjesëmarrjen e komuniteteve dhe që siguron paprekshmërinë e votës. Nuk mund të bëjmë kompromis me sundimin e ligjit sepse ajo do të cenonte demokracinë” – tha ai.
Për pikën e katërt ku parashihet mbajtja e një takimi të dy kryenegociatorëve në Bruksel, kryeministri u shpreh se në vazhdimësi ka theksuar se të dyja palët duhet ta pranojnë publikisht që marrëveshja bazike është ligjërisht e obligueshme, gjë që nuk ka ndodhur ende nga pala serbe.
Ai ka theksuar se “marrëveshja duhet të zbatohet në plotin gjë që me gjasë ende nuk është e qartë për njërën nga palët. Së treti që zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet dhe së katërti që të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta gjë që është cenuar nga vendosja e masave të përkohshme kundër Kosovës nga BE-ja” – u shpreh ai./FolDrejt/