Administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka miratuar një shitje të mundshme armësh për Tajvanin me vlerë 619 milionë dollarë, duke përfshirë qindra raketa për avionët luftarakë F-16, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Administrata njoftoi zyrtarisht Kongresin të mërkurën për shitjen e propozuar të municioneve F-16 dhe pajisjeve të lidhura me to, dhe vendimi vjen në një kohë të tensioneve të rritura midis ShBA-së dhe Kinës.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se shitja e mundshme është “në përputhje me Aktin e Marrëdhënieve me Tajvanin dhe politikën tonë afatgjatë “Një Kinë”, në të cilën “Shtetet e Bashkuara i vënë në dispozicion Tajvanit artikujt dhe shërbimet e mbrojtjes të nevojshme për t’i mundësuar atij të mbajë aftësi vetëmbrojtëse të mjaftueshme.
Zyrtari vuri në dukje se Tajvani do të përdorë fondet e veta për blerjen.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Tajvanin dhe hapat që Tajvani po ndërmerr për të përmirësuar aftësitë e tij vetëmbrojtëse kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit përgjatë ngushticës së Tajvanit dhe brenda rajonit”, tha zyrtari.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha në një deklaratë se forcat ajrore kanë aftësi të plota luftarake në dy llojet e raketave që Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të shesin këtë herë.
“Përveç se na lejon të mbrojmë në mënyrë efektive hapësirën tonë ajrore kundër provokimeve të ushtrisë komuniste, ajo gjithashtu na ndihmon të marrim armë dhe të rrisim qëndrueshmërinë tonë mbrojtëse,” tha ai. /FoLDrejt/