Në një takim katërpalësh në Moskë mes Turqisë, Rusisë, Sirisë dhe Iranit, u diskutuan hapat që mund të ndërmerren për normalizimin e marrëdhënieve turko-siriane, njoftoi Ministria turke e Mbrojtjes, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Palët diskutuan gjithashtu për luftën kundër organizatave terroriste dhe të gjitha grupeve ekstremiste në territorin e Sirisë.
Rritja e përpjekjeve për kthimin e refugjatëve sirianë në vendet e tyre ishte një tjetër çështje në axhendën e katër vendeve.
Përpjekjet e gjata të Rusisë për të hapur një kanal dialogu midis Turqisë dhe regjimit të Bashar Asadit dhanë rezultat vitin e kaluar, pasi ministrat e mbrojtjes dhe shefat e inteligjencës të Turqisë, Rusisë dhe regjimit të Asadit u takuan në Moskë.
Mbështetja e Turqisë ka qenë jetike për të mbështetur opozitën e moderuar siriane në bastionin e tyre të fundit të rëndësishëm territorial në veriperëndim pasi Assad mundi kundërshtarët në pjesën tjetër të vendit, të ndihmuar nga Rusia dhe Irani.
Megjithatë, sipas deklaratave të regjimit të Bashar Asadit, Damasku dëshiron t’i japë fund pranisë turke në territoret siriane.
Që nga viti 2016, Ankaraja ka nisur tre operacione të suksesshme anti-terroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të lejuar banorët të vendosen në mënyrë paqësore. /FolDrejt/