Qytetarët në Ukrainë e gjejnë zgjidhjen duke ndezur qirinj në disa rajone ku vazhdojnë ndërprerjet e energjisë elektrike për shkak të sulmeve me raketa që ushtria ruse ka kryer kohët e fundit ndaj infrastrukturës kritike të energjisë elektrike.
Për shkak të sulmeve të forcave ruse, në disa qytete, qyteza dhe fshatra në vend vazhdojnë ndërprerjet e energjisë elektrike dhe ujit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Qyteti Dnipro i cili ka qenë i mbuluar plotësisht nga errësira për shkak të sulmeve ruse më 23 nëntor, ka filluar sot të furnizohet pjesërisht. Ndërkohë disa njerëz që ndodhen në lagjet ku nuk ka energji elektrike, ndriçojnë shtëpitë e tyre duke përdorur gjeneratorë ose bateri. Ndërsa shumë civilë ndezin qirinj për të ndriçuar shtëpitë e tyre.
Qytetarja 74-vjeçare Galiya e cila nuk dëshiron të tregojë mbiemrin e saj për arsye sigurie, në një deklaratë për gazetarin e AA-së, tha se prej disa ditësh janë pa energji elektrike dhe ujë si pasojë e sulmeve ruse. Ajo tha se pavarësisht të gjitha vështirësive po përpiqet të mësohet me situatën. “Nuk ka ujë, erdhi mëngjesi dhe sërish janë ndërprerë. As energji elektrike nuk ka por përdor qirinj. Për momentin ka qirinj në sasi të mjaftueshme”, tha Galiya.
Ajo thekson se ujin e përdorshëm në shtëpi e kthen në ujë të pijshëm duke e kaluar nga një garzë sterile dhe se këtë mënyrë e ka mësuar nga nëna e saj shumë vite më parë./FolDrejt/