Në një ambient enigmatik e artistik, të zhytur në kombinimin e dritës e errësirës njëkohësisht, sot ka hedhur hapin e parë Festivali Poetik i Prishtinës, me promovimin e librit “Këpucët e vdekjes”, që e hapi edicionin.
Nga Rrezarta A. Morina – Fol Drejt.
Nën organizimin e ObserverKult-it, Festivali Poetik i Prishtinës që do të zhvillohet përgjatë tre ditëve, 21, 22 dhe 23 nëntor 2022, në qendrën Termokiss, në Prishtinë, gërsheton artin e trashëgiminë kulturore shqiptare, krijimtarinë e kritikën, duke promovuar emra të rinj e emra tashmë të rryer për publikun, shkruan Fol Drejt.
Promovimi i librit me tregime “Këpucët e vdekjes”, i autorit Imer Topanica, që pa dritën e botimit në shtator të këtij viti është ngjarja e parë kulturore që shënoi sot hapjen e këtij festivali.
Në një diskutim triadik mes autorit, Imer Topanica, redaktorit të librit, Gazmend Bërlajolli dhe moderueses, njëkohësisht kryeredaktores së ObserverKult-it, Donika Dabishevci, të pranishmit patën mundësi të njihen me poetikën e librit në fjalë, poetikën krijuese të autorit në përgjithësi dhe persiatje mbi letërsinë si art i fjalës.
E me zërin e aktorit Naim Berisha, në një sallë të mbushur me dashamirës të artit të fjalës e kulturës, fjala artistike e shkrimtarit Topanica përmes përmbledhjes “Këpucët e vdekjes” kumboi edhe një herë për të prekur tematikisht zemrat e për të ngacmuar gjuhësisht e stilistikisht mendjet e lexuesve.
Që në krye të diskutimit me autorin e librit, moderuesja Dabishevci, njëkohësisht edhe organizatore e Festivalit dhe botuese e librit “Këpucët e vdekjes”, ka shpalosur komentet pozitive dhe interesimin e madh që ka nxitur libri në publik.
“Mua si botuese më kanë ardhë shumë mesazhe dhe përshtypje të lexuesve për librin, dikush është ndalë te tematika, dikush të idetë, dikush te gjuha, dikush te dizajni. Por, e mira është që libri ka provokuar vëmendjen e lexuesve për një ose shumë arsye”, është shprehur Dabishevci gjatë diskutimit me autorin Topanica, për të marrë edhe prej tij, me modesti, konfirmimin për interesimin e lexuesve, të shprehur nëpërmjet mesazheve, interesimit për ta kërkuar e për ta blerë librin.
I pyetur për dualizmin midis poezisë dhe prozës dhe sa vijnë natyrshëm ato brenda tij si shkrimtar, Topanica ka zbuluar se si e përcakton prozën e se si poezinë, përderisa ka shpalosur para lexuesve prirjen e tij për të punuar në disa projekte paralelisht e njëkohësisht, pa e ditur se cili përfundon i pari drejt botimit.
Ndonëse i sheh të ndërthurura njërën me tjetrën, shkrimtari Topanica e vë poezinë të parën për nga vështirësia, pikërisht për shkak të ngjeshjes së materialit e konotacionit që duhet të ketë për dallim prej prozës.
Kur flet për poezinë, Topanica shprehet se “duhet ta ngjeshësh materien gjuhësore deri në atë masë që të krijosh shtresime kuptimore, t’i japësh konotacion tekstit”, ndërkohë që si kusht për krijimin e prozës, në vend të aftësisë për të krijuar konotacion, e vë komoditetin.
“Proza kërkon komoditet më tepër, vetë procesi i shkrimit e kërkon rehatinë”, teksa vetë e pranon që edhe projekti i tij më i ri “Këpucët e vdekjes”, është një fryt i komoditetit që ia ka ofruar të qenit në Rezidencën e shkrimtarit në Stamboll, ani pse disa prej tregimeve kanë qenë të shkruara më herët.
Duke u lidhur me librin, redaktori i librit, Gazmend Bërlajolli ka ngritur lart mjeshtrinë artistike të autorit për të gërshetuar një kolorit toposesh, tematikash e stilesh brenda përmbledhjes, duke përmendur kështu varietetin tematik përmes ngjyresave historike, fetare, aktuale-reale brenda veprës.
“Ajo që bën Imeri, shumë mjeshtërisht, është që ta rrëfen një ngjarje në një mënyrë krejt tjetër dhe zgjedh një varietet gjuhësor krejt tjetër, që ofron kënaqësi edhe për vetë redaktorin”, ka thënë Bërlajolli, duke e ngritur lart fjalën krijuese të shkrimtarit Topanica edhe për vizualitetin që ofron, edhe për finesat poetike brenda prozës së tij, pa u ndjerë tepria, por sidomos për individualitetin që ka secili tregim, për identitetin që krijon secili tregim, aq sa, siç thotë Bërlajolli, të detyron t’i lexosh të gjitha tregimet.
Ndërkaq, duke u pyetur për strukturimin e librit, autori i librit, që në fillim të përgjigjes ka bërë të kuptohet se e konsideron shumë të rëndësishëm strukturimin dhe ndonëse tregimet janë shkruar në kohë të ndryshme, për strukturimin e tyre i ka ardhur në ndihmë poezia. “Edhe strukturimin e shoh si një shtresim poetik, si një shtresim artistik, jo thjesht një ndarje, por që pjesa e vendosur të ketë kuptim, në nivel horizontal e vertikal”, është shprehur Topanica.
Në diskutimin për librin është prekur edhe rrafshi gjuhësor, teksa është moderatorja Dabishevci që ka përmendur tri ‘format’ gjuhësore që redaktori Bërlajolli i ka hetuar në librin “Këpucët e vdekjes”: gegërishten, standardin dhe një formë të ndërmjetme mes dy të parave.
E në lidhje me këto, Bërlajolli ka vlerësuar Topanicën për mënyrën se si i përdorë dhe i zotëron këto forma, pa arritur t’i bëjë të duken forma të shtirura, gjë që sipas tij, shpërfaq mjeshtërinë e autorit. E për formën e ndërmjetme mes gegërishtes dhe standardit që e ka hetuar te Topanica, redaktori Bërlajolli nuk heziton t’ia japë meritat shkrimtarit të përmbledhjes “Këpucët e vdekjes”, si nismëtar i një forme të tillë gjuhësore.
E sikur për t’i argumentuar këto që u thanë në diskutim, në kuadër të promovimit, me interpretimin e aktorit Naim Berisha, ‘u jetësua’ përballë të pranishmëve fragment nga tregimi me temë nga aktualiteti “Pa titull”, që u mirëprit plot duartrokitje nga dashamirësit e artit që gjendeshin në sallë.
Ndërkaq, duke komentuar ngjyrimin ironik e tonin realist të tregimit, vetë autori Topanica u shpreh se brenda këtij tregimi zëri narrativ nuk është vetëm përfaqësim i tij, por zë i zërave tjerë, i shoqërisë në përgjithësi.
Përtej përmbajtjes dhe ndërtimit strukturor e kompozicional, Topanica ka shprehur kënaqësinë e tij për gjithë procesin nëpër të cilin ka kaluar libri i tij i fundit, sepse siç ka thënë ai “ky libër është një projekt me fat, të gjitha fazat janë punue me nge”.
E për të përfunduar gjithë këtë ngjarje kulturore, redaktori Bërlajolli zgjodhi të lexojë një poezi të përkthyer nga vetë ai “Poetëve të vendit tem”, si një shenjë mirënjohjeje për kontributin e poetëve, shkrimtarëve e përgjithësisht njerëzve të fjalës e artit për kontributin e dhënë.
Përfundimi i promovimit “Këpucët e vdekjes”, si e para ngjarje e Festivalit, u ndoq nga homazhe për krijimtarinë e Esad Mekulit, nëpërmjet fjalës së studiuesve Agron Gashi e Sali Bytyçi dhe interpretimit të aktores Xhejlane Tërbunja, për të vazhduar më pas me prezentimin e gazetës “Potpuri” dhe interpretimin e këngëve popullore erotike nga autorja Vlora Nikçi.
Ndërkaq, agjendë e mbushur plot ngjarje të tilla të artit e kulturës priten edhe në dy ditët e ardhshme.
Edhe dita e dytë pritet të nisë me një promovim “Vdekja e Omerit” e Adil Ollurit, dokumentarin e Donika Dabishevcit “Eposi i kreshnikëve” e mbrëmjen poetike me poetin Agim Vinca, për të cilin do të flasë studiuesja Zahrie Kapllanaj.
Ndërkaq, dita e tretë dhe e fundit do të nisë me promovimin e “Fjalë të bukëta” të Emin Eminit për të vazhduar me mbrëmjen poetike, ku do të përfshihen emra të njohur të poezisë si Flora Brovina, Halil Matoshi, Sibel Halimi, Donika Dabishevci, Blerina Rogova-Gaxha, Arbër Selmani, Alketa Gashi – Fazliu, Ilir Breca, Ahmet Selmani, dhe emra të rinj, si Donart Rexhbogaj, Uresa Ahmeti, Agon Rexhepi, Fitim Majkovci, Agnesa Beqiri./Rrezarta Morina/FolDrejt/