Pjesëmarrit e Konferencës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Oqeanit, e cila po mbahet në qytetin e Panamasë me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, premtuan gati 20 miliardë dollarë për këtë qëllim.
Udhëheqësit e konferencës raportuan në fund të takimit dy-ditor të së shtunës mbrëma se 341 pjesëmarrës ishin zotuar të dhuronin një total prej 19.9 miliardë dollarësh për të mbrojtur oqeanet, përcjell Fol Drejt.
Vetëm qeveria amerikane ka premtuar gati 6 miliardë dollarë, të cilat janë të destinuara për realizimin e 77 projekteve. I dërguari i posaçëm për çështjet klimatike John Kerry njoftoi, ndër të tjera, investime në zonat e mbrojtura detare, peshkim të qëndrueshëm dhe burime të rinovueshme të energjisë.
Në të njëjtën kohë, BE njoftoi një rritje të shpërndarjes së fondeve për oqeanet e botës në vitin 2023 në 816.5 milionë euro.
Vendi pritës i konferencës, Panamaja, ka njoftuar se pothuajse do të dyfishojë madhësinë e zonave të saj të mbrojtura detare.
Ai tha se në të ardhmen, më shumë se 54 për qind e zonës ekskluzive ekonomike të vendit do të mbrohet. Kjo zonë shtrihet në një sipërfaqe prej 200 miljesh detare nga brezi bregdetar drejt oqeanit.
Në konferencën ndërkombëtare Oqeani ynë, përfaqësues të qeverive, sektorit privat, organizatave të ndryshme dhe shoqërisë civile nga 70 vende të botës diskutuan për mbrojtjen e oqeaneve botërore.
Konferenca u mbajt për herë të parë në vitin 2014 me iniciativën e qeverisë amerikane. E ardhmja do të mbahet vitin e ardhshëm në Greqi./FolDrejt/