Tash e disa ditë në Komunën e Podujevës është zhvilluar një kampanjë për vetëdijesimin e të rinjve në raport me rrezikun e madh që i kanos ata, për sa u përket abuzimit me droga, transmeton Fol Drejt.
Më saktësisht, sot, më 20 dhjetor 2021, Këshilli i Bashkësisë Ilsame në Podujevë, në bashkëpunim me pjesëtarë nga Policia e Kosovës, udhëheqës të Shkollave të Mesme si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, e kanë përmbyllur këtë kampanjë me sukses.
“Sot me kolegët nga Bashkësia Islame, Policinë e Komunës, Shkollat e Mesme dhe shoqërinë civile përmbyllëm një fushatë gjashtë ditore në kuadër të kampanjës kundër drogave nëpër shkolla. Faleminderit prej donatorëve për bashkëpunimin” – ka njoftuar imami Sadat Topanica, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
Abuzimi me droga, është një dukuri e cila ka kapluar edhe shtresat më të reja të shoqërisë. Nxënës të shkollave të mesme, e madje edhe fillore, kanë filluar të identifikohen si përdorues të tyre. Këto shenja, përveç policisë, kanë nxitur edhe strukturat e caktuara të shoqërisë që të reagojnë në mënyrë që dukuria e tillë të mos përhapet më tutje. Bashkësia Islame, në këtë mes, ka luajtur një rol të rëndësishëm./FolDrejt/