Presidenti amerikan Joe Biden do të takohet me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan ndërsa udhëheqësit e vendeve të NATO-s mblidhen të hënën në Bruksel.
Një mbështetës i kahershëm i NATO-s, Presidenti Biden zgjodhi Evropën si destinacionin e tij të parë jashtë vendit. Vëzhguesit po ndjekin nga afër atë që pritet të jetë një takim i tensionuar midis presidentit amerikan dhe homologut të tij turk Rexhep Tajip Erdogan.
Dy udhëheqësit kanë shkëmbyer retorika të ashpra kohët e fundit, ndërsa zoti Biden e quajti Erdoganin “autokrat” gjatë fushatës presidenciale, dhe Erdogani tha muajin e kaluar se Bideni i ka “duart e përgjakura”, duke theksuar mbështetjen e udhëheqësit amerikan për Izraelin në konfliktin e Gazës.
Disa ekspertë të politikës së jashtme thonë se prej vitesh, Erdogani nuk ka vepruar sikur Turqia dëshiron të mbetet një aleat i besuar në NATO. Bradley Bowman është me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive. Ai foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Teams, përcjell FolDrejt.com.
Disa analistë të tjerë mendojnë se presidenti turk është i etur për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara dhe mund të jetë duke konsideruar një rol të dobishëm ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja përgatiten të tërheqin forcat e tyre ushtarake nga Afganistani. Max Hoffman është me Qendrën për Përparimin Amerikan.
Për dekada me radhë Turqia ka qenë një partner i qëndrueshëm dhe i rëndësishëm i NATO-s në Afganistan. Ekspertët thonë se anëtarët e NATO-s do të mirëpresin që Ankaraja të marrë përsipër sigurinë në aeroportin e Kabulit.