Presidenti rus Vladimir Putin, sot (e enjte) filloi një operacion ushtarak në Ukrainë, ndërsa shpërthime janë dëgjuar në të gjithë vendin, kurse ministri i Jashtëm ukrainas ka paralajmëruar se një “pushtim i plotë” ishte duke u zhvilluar.
Në fshatin Zazimija, i cili i përket rajonit të Kievit, ndodhet edhe Igor Angelov nga Maqedonia, i cili është i martuar me një grua ukrainase që nga viti 2014. Ai në një deklaratë për “StrumicaDenes”, ka përshkruar gjendjen e rëndë e cila mbizotëron në Ukrainë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ne do të digjemi në ferr. Sirenat u dëgjuan mëngjesin e sotëm. Ne jetojmë 23 km nga qendra e Kievit dhe u dëgjuan dy goditje të forta. Në punë nuk kemi shkuar, buk nuk mund të blejmë. Tani për tani kemi rrymë dhe gaz, do të shohim deri kur. Ndërsa po shkruaja këtë, sapo dëgjuam një tjetër shpërthim, dritaret u drodhën. Për mendimin tim, sonte mund të jetë më rrezik”, ka thënë shtetasi i RMV-së.
Ai gjithashtu ka theksuar se familjarët e tij në Maqedoni janë shumë të frikësuar. Ai tha se nuk kishte asnjë mënyrë për të arritur në aeroport sepse rruga midis Brovary dhe Kievit ishte e bllokuar.