Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media ka njoftuar për gjendjen aktuale të sigurisë, në nivel vendi, shkruan Fol Drejt.
Në këtë komunikatë, PK bënë të ditur për opinionin publik se janë duke u ndërmarr të gjitha masat dhe duke u shfrytëzuar të gjitha kapacitetet, në mënyrë që të menaxhohet situata.
“Menaxhimi dhe kontrolli i situatës së sigurisë në vend vazhdon të jetë prioritet kryesor i Policisë së Kosovës dhe përpjekje maksimale janë duke u bërë për tejkalimin e situatës tanimë disa ditë të tensionuar në veri të Mitrovicës” – thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.
Në fokus, sipas komunikatës, mbetet veriu i vendit, ndërsa bëhet e ditur se ndër të tjera, janë vendosur edhe disa pika kontrolli:
“Në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore Policia e Kosovës ka paraparë planifikime adekuate-operacionale në angazhimin e personelit dhe kapaciteteve të saj në mënyrë sa më racionale në arritjen e objektivave të ligjshme në gjithë vendin me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.
Në rrugën magjistrale Mitrovicë–Leposaviq, Policia e Kosovës ka vendosur pika kontrolli të automjeteve për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi.
Policia e Kosovës, konkretisht zyrtaret policorë janë të përkushtuar për të ruajtur rendin dhe garantuar sigurinë e përgjithshme në gjithë vendin dhe varësisht prej nevojave të ndërmarrin veprime të nevojshme në teren në funksion të garantimit të ligjshmërisë.
Falënderojmë qytetarët për bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe në ofrimin e informatave relevante, si dhe raportimin e rasteve për adresimin e tyre me profesionalizëm dhe në të mirë të gjitha komuniteteve pa dallim.”/FolDrejt/