N1Info ia ka kushtuar një artikull figurës së Milan Radojçiqit, njërit prej emrave më të lakuar aktualisht në mediat e Ballkanit, dhe jo vetëm. Më 24 shtator, bashkë me një grup serbësh të armatosur, ai u përpoq të kryente një sulm terrorist mbi autoritetet e rendit në Kosovë duke e lënë të vrarë zyrtarin policor Afrim Bunjaku, shkruan Fol Drejt.
Pasi grupi i tyre u dekonspirua shpejt nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës duke i vrarë tre prej tyre dhe duke i arrestuar 8, Radojçiq i cili me një grup prej dhjetëra vetash u tërhoq në Serbi, pranoi se ishte pjesëmarrës në sulmin terrorist.
Në operacionin e kërkimit të gjurmëve dhe dëshmive, policia, së bashku me KFOR-in, gjetën një arsenal armësh ndërsa ndër pikat e kontrollit ishte edhe vila e Radojçiqit. Pas këtyre ngjarjeve tronditëse, mediumi opozitar serb N1Info ka shtruar pyetjen: se sa kushton vila e tij dhe si është pasuruar ai kaq shpejt?
“Luks i fshehur në një vilë në bregun e liqenit të Gazivodës në veri të Kosovës, ka për pronar Milan Radoiçiqin, pohon policia e Kosovës dhe askush nga pala serbe nuk e mohon.”
“Është një shfaqje force, në një farë mënyre. Kjo flet vetëm për fuqinë e tij. Krijon një imazh tjetër pushteti, paprekshmëri. E shikon çfarë pasurie ka, mos u ngatërro me të. Besoj shumë se ai ishte mjeshtër i jetës dhe vdekjes në veri të Kosovës”, ka thënë Millosh Laziq, gazetar i portalit Nova.rs.
Sipas N1Info, Radoiçiq ishte edhe lider joformal i serbëve në veri të Kosovës, i angazhuar politikisht, nënkryetar i Listës Serbe. Së bashku me kumbarin e tij Zvonko Veselinoviq, që nga viti 2013 është i lidhur me shumë afera të dyshimta.
“Janë gjykuar për krim të organizuar, nuk janë dënuar. Disa procedura ende ekzistojnë. Ata janë në listën e zezë të ShBA-ve, ku theksohet, jo vetëm për krim të organizuar dhe lëndë narkotike, por përmendet edhe vrasja e Oliver Ivanoviqit. Ai vetëm tani, me rastin e kësaj tragjedie, ka dhënë disa dëshmi, por nuk bëhet e ditur prejardhja e asaj pasurie, se si kompanitë në të cilat ai është bashkëpronar, së bashku me kumbarin e tij Veselinoviq, merrnin projektet më të rëndësishme shtetërore dhe se si këto kompani kanë një qarkullim më të madh se kompanitë e Miroslav Mishkoviq-it“, shpjegon gazetari i NIN-it, Vuk Cvijiq.
Para vdekjes, vetë Oliver Ivanoviq e pat cilësuar si njeriun që mban të gjithë pushtetin në veri të Kosovës duke e shprehur shqetësimin se prapa suksesit të tij qëndronte vetë presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili e vlerësonte si luftëtar për mbijetesën e serbëve.
“Është ajo historia klasike. Politika, biznesi, krimi janë të lidhura. Është ai trekëndësh. Ai është i lidhur me të gjithë. Të gjithë e lidhin me autoritetet serbe, gjë e dukshme kjo. Deri tani ka qenë i paprekshëm dhe ato punë që ia ka dhënë shteti kanë qenë gjithmonë me fitime të mëdha, si dhe paprekshmëri nga ana e drejtësisë. Por të mos harrojmë se edhe ai para disa vitesh u shfaq në publik me Behxhet Pacollin, po ashtu biznesmen, por nga pala kosovare”, shpjegon Millosh Laziq, gazetar i portalit Nova.rs.
Origjina e pasurisë së Radoiçiqit, ata besojnë se nuk do t’i interesojë askujt – as palës kosovare e as serbe – shkruan N1Info.
Objekte të ngjashme kanë tërhequr vëmendjen e publikut në Serbi edhe më parë.
Fjala vjen, Shilerova e klanit të Zemunit përmendej si një vilë në të cilën edhe bravat e dyerve ishin të praruara, dhe veprat e artit të së cilës kushtonin shtrenjtë, meqë shërbente si seli e Dushan Spasojeviqit.
“Ne e dimë nga vendimet gjyqësore se klani i Zemunit ishte krahu i zgjatur i Sllobodan Millosheviqit. Kjo është arsyeja pse u bë e madhe. Nga disa gjykime dimë se ai ka shërbyer si logjistikë për vrasjet politike. Në anën tjetër, Dushan Spasojevoqi nuk ka qenë nënkryetar dhe anëtar i rëndësishëm i SPS-së dhe ky njeri është nënkryetar i Listës Serbe, pra dega e SNS-së në Kosovë”, i ndërlidh faktet Cvijiq.
Radoiçiq dha dorëheqje nga Lista Serbe, pasi siç tha ai, kjo nuk duhet ta dëmtonte popullin serb. E ndërsa në vilën në Shilerova janë investuar 8.5 milionë marka gjermane, kjo e Radoiçiqit ende është në pritje të një vlerësimi./FolDrejt/