Në kuadër të vizitës së saj në Maqedoni të Veriut, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, mori pjesë në inaugurimin e rrugës “Ibrahim Rugova” në komunën e Çairit, në Shkup.
Me këtë rast, presidentja Osmani-Sadriu tha se ky është një nder jo vetëm për të e familjen e presidentit Rugova, por për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Kjo rrugë me këtë emër, jo vetëm që do ta lidhë Çairin me pjesët tjera të këtij shteti, por do të jetë edhe motiv shtesë për qytetarët e Kosovës që ta vizitojnë”, tha Osmani-Sadriu, transmeton RTK.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vazhdojë agjendën e vizitës në Maqedoninë e Veriut.
Nga ora 10:20, e para e vendit pritet të mbajë fjalë rasti para stafit akademik dhe studentëve në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Po ashtu, sot pritet që ta vizitojë edhe Tetovën, ku do ta takojë kryetarin e komunës, Bilall Kasamin, disa kryetarë komunash të drejtuara nga shqiptarët dhe intelektualë të kësaj komune.
Vizitën në këtë komunë, presidentja Osmani do ta përmbyllë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku para studentëve dhe stafit akademik do të flasë për sfidat rajonale politike dhe ato të sigurisë.
Ndryshe, Osmani është për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut që nga e mërkura e 26 prillit, transmeton RTK, përcjell Fol Drejt.