Në Shqipëri sot arritën edhe 11,700 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit. Këtë e bëri të ditur kryeministri i këtij vendi, Edi Rama.
Në një postim në Facebook, Rama tha se doza të tjera vaksinash do të arrijnë çdo javë, në bazë të kontratave të lidhura.
“Më shumë se 760 mijë vaksina kanë mbërritur deri tani në Shqipëri, teksa vijojmë pa u ndalur drejt objektivit tonë për të kryer 1 milion vaksinime”, shkroi Rama në Facebook, pa dhënë detaje se prej ku kanë arritur dozat e fundit.
Shqipëria ka filluar vaksinimin kundër koronavirusit në fillim të muajit janar, duke u dhënë përparësi punonjësve shëndetësorë.
Më 28 mars, vendi ka nisur vaksinimin masiv, fillimisht në Tiranë, për të vazhduar më pas në qytete të tjera.
Shqipëria ka siguruar vaksina edhe nga prodhuesi anglo-suedez AstraZeneca, si dhe nga Rusia dhe Kina.
Të gjitha këto vaksina duhet të jepen në dy doza për të qenë sa më efektive.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, që ndjek të dhënat për pandeminë në të gjithë botën, Shqipëria ka regjistruar mbi 131,000 raste me koronavirus dhe 2,416 viktima.